Vrasja e Urim Fikut në Bulqizë, përgjimet zbulojnë bisedën mes nënës dhe djalit të arrestuar

Aktualitet | 1 minutë më parë

Hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë kanë zbuluar detaje të reja. Policia ka përgjuar në ambientet e dhomës së shoqërimit dy të arrestuarit, bashkëshorten Sadete dhe djalin e viktimës, Gazmir Fiku. Gjatë bisedës mes tyre, nëna i kërkon të birit sqarime për atë që ka ndodhur, duke i thënë: “Çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu?”. Gazmir Fiku i përgjigjet: “Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim”. Më pas, ai i bën shenjë të ëmës, duke nënkuptuar se në ambientet e policisë mund të jenë vendosur përgjues.

Ndërkohë, hetuesit kanë zbuluar prova të tjera pranë banesës së viktimës. Gjatë kontrolleve janë gjetur tri gëzhoja automatiku, çka ka ngritur dyshimet se në krim mund të jetë përdorur edhe një armë automatike, përveç pistoletës. Policia ka sekuestruar një pistoletë dhe një kallashnikov, ky i fundit i gjetur i fshehur në kasollen e banesës, me një fishek në folenë e armës. Të gjitha provat pritet t’i nënshtrohen ekspertizave balistike për të përcaktuar nëse gëzhojat janë shkrepur nga armët e sekuestruara.

Dyshimet e hetuesve janë se Urim Fiku është ndjekur nga autori, i cili ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Një plumb dyshohet se e ka prekur pas shpine, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa më pas viktima është goditur edhe me sëpatë në kokë.

Policia dhe prokuroria kanë kërkuar ekspertizën mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur nga plagët e armës së zjarrit apo nga goditja e rëndë me sëpatë në kokë. Një tjetër pistë që po hetohet është përfshirja e një personi të tretë, i cili dyshohet se banon në afërsi të vendit të ngjarjes. Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e tij. Për vrasjen e 62-vjeçarit janë arrestuar bashkëshortja Sadete Fiku dhe djali Gazmir Fiku, të cilët janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme