Taulant Balla prezanton ndryshimet në ligjin për strehimin social: 30% e banesave për familjet në nevojë

Politikë | 16 minuta më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në ligjin për strehimin social synojnë të krijojnë një model të ri ndërhyrjeje të shtetit në tregun e banesave, duke përfshirë jo vetëm familjet me të ardhura të ulëta, por edhe çiftet e reja dhe shtresën e mesme. Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën, ku u diskutua projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për strehimin social, Balla shprehu keqardhjen për mungesën e mbështetjes nga opozita, duke e cilësuar nismën si një mbështetje të rëndësishme për qytetarët.

“Do kisha dashur shumë që kolegët e opozitës jo vetëm të ishin prezentë, por edhe ta kishin mbështetur me votë këtë projektligj, i cili sjell një mbështetje si asnjëherë tjetër në këto 30 vite në një sektor apo nevojë të veçantë, siç është strehimi social”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se synimi është që çdo familje shqiptare të ketë mundësinë e një banese të sigurt dhe të përballueshme, duke nënvizuar se strehimi nuk duhet parë vetëm si çështje e tregut të pasurive të paluajtshme.

“Çdo familje shqiptare të ketë mundësinë e një banese të sigurt dhe të përballueshme. Qeveria shqiptare ka bërë një hap të madh dhe ndryshimet që ne propozojmë vijnë për të përmirësuar, sepse ne mendojmë se strehimi nuk është thjesht dhe vetëm çështje e tregut të pasurive të paluajtshme, por si politikanë, si vendimmarrës, duhet ta shohim atë si një çështje sociale, ekonomike dhe demografike, e cila lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e të rinjve kryesisht për të krijuar familje dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri”, u shpreh ai.

Balla bëri të ditur se projektligji synon të krijojë mundësi konkrete për familjet që kanë vështirësi në përballimin e kostove të banimit. Një vëmendje e veçantë, sipas tij, i kushtohet edhe familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, të cilat ende nuk janë pajisur me banesa.

“Unë sot vij dhe me një propozim që ka në vëmendjen e vetë familjet që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, e për të cilët ende s’kemi përmbyllur pajisjen e tyre me shtëpi. Propozimi i jep zgjidhje, mundësi që fondet që deri më tani bashkitë nuk i kanë përdorur të vihen në funksion të përmbylljes së këtij procesi”, deklaroi Balla.

Duke shpjeguar filozofinë e programit të ri kombëtar të strehimit, Balla tha se synohet një reformë strukturore në mënyrën se si shteti ndërhyn në tregun e banesave.

Sipas tij, programi nuk do të kufizohet vetëm te familjet me të ardhura të ulëta, por do të përfshijë edhe familjet e reja dhe shtresën e mesme, të cilat kanë të ardhura, por nuk arrijnë të përballojnë çmimet e tregut.

“Filozofia e programit të ri kombëtar të strehimit konsiston në një reformë të mirëfilltë strukturore që synon të ndryshojë mënyrën si shteti ndërhyn në tregun e strehimit. Qasja jonë e re nuk kufizohet vetëm te familjet me të ardhura të ulëta, por përfshin dhe familjet e reja dhe shtresën e mesme që kanë të ardhura, por nuk përballojnë dot çmimin e tregut”, tha ai.

Balla prezantoi gjashtë instrumentet kryesore mbi të cilat do të mbështetet programi: Banesa sociale me qira; Banesa me kosto të ulët, të mbështetura përmes kredive të subvencionuara; Përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël; Ndërhyrje infrastrukturore në zonat informale; Banesa të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore; Banesa të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Sa u përket ndërhyrjeve në zonat informale, Balla deklaroi se gjatë këtij viti përfitojnë 600 familje, ndërsa synohet zgjerimi i përmirësimeve gjatë vitit të ardhshëm. Një tjetër risi që Balla veçoi lidhet me mënyrën e financimit dhe zhvillimit të strehimit. Sipas tij, modeli i ri synon të bashkojë fondet buxhetore me kontributet e sektorit privat, financimet evropiane dhe burime të tjera të mundshme.

“Një nga risitë më të rëndësishme është mënyra si synon të financohet dhe zhvillohet strehimi. Në vend që shteti të mbështetet vetëm në fondet buxhetore, ne mendojmë se duhet të krijohet një sistem ku bashkohen burimet e buxhetit me kontributet e sektorit privat, që është tarifa që kemi vendosur po ne vite më parë në ligjin për ndërtimin. Po ashtu, financimet evropiane dhe burime të tjera të mundshme”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se në këtë model shteti nuk do të jetë vetëm subvencionues, por mund të marrë edhe rolin e zhvilluesit dhe investuesit në tregun e banesave. Në përfundim, Balla prezantoi edhe formulën e propozuar për ndarjen e banesave, sipas së cilës 30% do të jenë për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% për shitje në tregun e lirë. “Një tjetër element i rëndësishëm është formula e propozuar: 30% për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% banesa për shitje në tregun e lirë”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme