Kosova ndalon blerjen e energjisë nga kompanitë serbe, Kurti paralajmëron masa të mëtejshme

Kosovë | 19 minuta më parë

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, përfshirë edhe blerjen e energjisë, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit nga Serbia të linjave ndërkufitare të tregtimit. Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se kjo është masa e parë ndaj Serbisë dhe se veprime të tjera mund të ndërmerren nëse nuk ka ndryshim të situatës.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Kurti.

Përveç ndalimit të tregtisë me kompanitë serbe, kabineti qeveritar miratoi edhe dy masa të tjera për përballimin e situatës në sektorin energjetik. Njëra prej tyre lidhet me shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, ndërsa tjetra i vendos Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) obligimin e shërbimit publik për sigurimin e një sasie të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit gjatë muajit dhjetor.

Sipas kryeministrit, këto masa synojnë të përballojnë vështirësitë e krijuara nga bllokimi i linjave të interkonjeksionit 400 kilovolt, si dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm. Ndërkohë, edhe ndërmarrja publike Ibër-Lepenci do të ketë një obligim të ri, atë të shitjes së energjisë elektrike për furnizimin e shërbimit publik.

Tri vendimet e miratuara synojnë të përballojnë sfidat në sektorin energjetik dhe të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë. Gjatë mbledhjes, Kurti u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të kërkojë mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor 2022.

Ai ritheksoi gjithashtu se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik për Kosovën, ndërsa anëtarësimin në Këshillin e Evropës e cilësoi të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme