Laboratori i kokainës në Frakull të Fierit, GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për 49-vjeçarin, i akuzuar si një prej financuesve të trafikut

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Kevin Margjonin, i akuzuar si një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikimit të 485 kilogramëve kokainë, të sekuestruara në vitin 2022 në Frakull të Madhe të Fierit.
Margjoni, 49 vjeç, u arrestua në Spanjë në maj të vitit 2026 dhe u ekstradua në Shqipëri dy ditë më parë. Pas mbërritjes në vend, ndaj tij është konfirmuar masa e sigurisë e caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme.
Në mars 2026, GJKKO e Shkallës së Parë kishte vendosur ndaj tij masën “Arrest në burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.
Sipas hetimeve, Margjoni dyshohet se ka pasur rolin e një prej financuesve dhe negociatorëve në trafikun e 485 kilogramëve kokainë, e cila u zbulua nga policia në vitin 2022, e fshehur në thasë me pleh kimik në fshatin Frakull e Madhe, në Fier.
Sekuestrimi i sasisë së madhe të drogës ishte pjesë e një prej operacioneve të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, ndërsa hetimet synuan identifikimin e personave që qëndronin pas financimit dhe organizimit të ngarkesës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




