Sulmet amerikane në ishullin Qeshm, reagon shefi i ushtrisë së Iranit: Do kundërpërgjigjemi nëse na godasin sërish

Shefi i ushtrisë së Iranit, Amir Hatami, paralajmëroi sot se vendi i tij do të kundërpërgjigjet me forcë më të madhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ndërmarrin sulme të reja ndaj territorit iranian.
Deklarata e Hatamit vjen pasi agjencia zyrtare iraniane IRNA raportoi se Uashingtoni kishte goditur ishullin Qeshm, pa shkaktuar dëme serioze. Sipas raporteve, sulmet amerikane u drejtuan kundër objekteve ushtarake, përfshirë pozicione të lëshimit të raketave të Gardës Revolucionare Islame në ishullin e madh iranian që ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës botërore.
Zyrtarë iranianë, përfshirë zëvendësguvernatorin e provincës Hormozgan, Ahmad Nafisi, theksuan se goditjet nuk shkaktuan dëme në zona të banuara, tregtare apo në infrastrukturën jetike dhe shërbimet publike.
Situata në ishull u përshkrua si e kontrolluar, me shërbimet e emergjencës dhe administratën në gatishmëri të plotë. Banorët raportuan disa shpërthime të dëgjuara në zonë gjatë mbrëmjes së së martës.
Paralelisht, Kuvajti dhe Bahreini njoftuan se kishin kapur dhe neutralizuar sulme ajrore. Këto incidente ndodhin në kuadër të shkëmbimeve të vazhdueshme të goditjeve midis palëve, ku secila anë pretendojnë se veprimet e tyre janë mbrojtëse ose si përgjigje ndaj agresionit të kundërshtarit.
Në deklaratën e tij, Hatami theksoi se nëse “armiku” përsërit veprime që më parë kanë sjellë dështim, përgjigja e Iranit do të jetë “edhe më shkatërruese” dhe do të drejtohet si kundër forcave amerikane ashtu edhe kundër mbështetësve të tyre, pa njohur kufij gjeografikë. Mesazhi i tij dëshmon gatishmërinë e Teheranit për përshkallëzim nëse tensionet vazhdojnë.
Ishulli Qeshm, strategjik për shkak të pozicionit të tij në hyrjen e Ngushticës së Hormuzit, është bërë objekt i disa shkëmbimeve ushtarake kohët e fundit. Zyrtarë amerikanë kanë përshkruar operacionet e tyre si precize dhe në vetëmbrojtje, në përgjigje të sulmeve iraniane ndaj personelit dhe aseteve amerikane në rajon. Nga ana tjetër, Irani vazhdon të denoncojë këto veprime si agresion dhe të theksojë të drejtën e tij për mbrojtje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




