Buxheti 2027/ Ervin Demo në Kuvend: Më i madhi në histori, jep më shumë siguri për familjet dhe shërbime për qytetarët

Aktualitet | 17 minuta më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi sot në Kuvend prioritetet e projektbuxhetit 2027 duke theksuar se rritja e financimit do të përkthehet në më shumë siguri publike, mbështetje konkrete për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shërbime më cilësore në territor.

“Ky është buxheti më i madh që ky parlament do të votojë, por e rëndësishme është arsyeja pse ky buxhet është më i madh,” deklaroi Demo.

Ai e lidhi rritjen me performancën ekonomike të vendit – rritjen reale të PBB-së, investimet e huaja, turizmin në zgjerim, inflacionin nën kontroll dhe stabilitetin fiskal – por nënvizoi se ajo që vlen më shumë është ndikimi te qytetari.

“Nuk është e rëndësishme vetëm sa shpenzojmë, por çfarë ndryshon për qytetarin”, u shpreh ai.

Sipas Demos, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme arrin në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026, ku një nga pikat kryesore është politika e re e pagave, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.

“Bëhet fjalë për 8,174 punonjës policie të gradës ‘Inspektor’, të cilët do të kenë një rritje prej 23.600 lekësh, duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë. Një rritje prej 27%,” tha ministri.

Për gradat e tjera, rritja do të jetë 15 mijë lekë në muaj, ose 13–17% kur përfshihet vjetërsia.

“Kjo është rritja më e lartë e pagave që ne kemi për Policinë e Shtetit në vitet e fundit,” theksoi ai, duke kujtuar se “pas çdo uniforme është një njeri, një familje.”

Krahas trajtimit financiar, 2.8 miliardë lekë janë parashikuar për investime të brendshme, ndërsa 1.85 miliardë lekë do të shkojnë për projektin “Smart City”.

Sipas Demos, kjo nismë synon “jo thjesht fuqizimin e teknologjive në dispozicion të Policisë së Shtetit, por për të garantuar gjithashtu luftën… dhe parandalimin” e elementëve të jashtëligjshëm. Në 2027 pritet gjithashtu të nisin investimet për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, një projekt i pritur prej kohësh.

Ministri theksoi se mbështetja e shtuar duhet të shoqërohet me profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ai veçoi reformën në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e institucioneve homologe italiane, si hap drejt standardeve më të larta të formimit.

Në fokus të buxhetit është edhe pushteti vendor, ku sipas Demos transferta nga shteti për bashkitë do të arrijë në 49.4 miliardë lekë (+4%), ndërsa Granti i Performancës do të vazhdojë me 200 milionë lekë.

“Shteti për qytetarin është vetëm një,” tha Demo, duke nënvizuar se qytetari nuk e ndan shtetin midis ministrive dhe bashkive.

Sa i përket rindërtimit, ministri informoi se 1.8 miliardë lekë nga fondi i 2026-ës do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit, ndërsa i njëjti nivel mbështetjeje financiare për bashkitë e prekura nga tërmeti parashikohet edhe për 2027-ën.

“Kjo mbështetje financiare do të thotë më shumë shtëpi për ata të cilët u dëmtuan,” theksoi ai.

Demo e mati vlerën e buxhetit me ndryshimet reale në jetën e qytetarëve, ku sipas tij “buxheti matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve… më shumë siguri publike, shërbime më cilësore dhe institucione më pranë tyre.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme