Buxheti 2027 dhe paketa fiskale në Kuvend/ Bozdo kritikon mungesën e konsultimit me biznesin dhe rritjen e barrës tatimore

Ekonomi | 20 minuta më parë

Gjatë diskutimeve në Kuvend mbi projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale, deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, shprehu kritika ndaj politikave tatimore dhe ndarjes së fondeve publike nga qeveria. Në fjalën e tij, ligjvënësi demokrat vuri në dukje mungesën e transparencës dhe të konsultimit me grupet e interesit, duke argumentuar se paketa fiskale rëndon mbi sipërmarrjen dhe qytetarët.

Sipas deputetit Bozdo, procesi i hartimit të paketës fiskale është zhvilluar pa u konsultuar me sipërmarrjen, ndërsa ende nuk është publikuar lista e produkteve ushqimore që do të përfitojnë nga shkalla e reduktuar e TVSH-së.

“Konsultim i munguar si asnjëherë tjetër me biznesin. Biznesi nuk u pyet, askush nuk i vuri në dijeni. Lista e ushqimeve me TVSH 6% nuk na është vënë në dispozicion”, deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit.

Barra fiskale mbi biznesin dhe turizmin

Duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Financave dhe analizave të shoqatave të biznesit, Bozdo vlerësoi se efekti neto i paketës fiskale llogaritet në 4.4 miliardë lekë, ndërsa paralajmëroi se ulja e pragut të TVSH-së me vendim qeverie do të godasë bizneset e vogla.

“Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë fut afro 8 mijë biznese në një grackë të re të ngarkesës fiskale”, u shpreh ai, duke shtuar se lehtësitë tatimore në total kapin vlerën e 62.4 miliardë lekëve, një shifër e përafërt me buxhetin e arsimit.

Deputeti kritikoi gjithashtu mekanizmin e paqes fiskale dhe trajtimin e sektorit të turizmit, ku sipas statistikave të cituara prej tij, 78% e shtretërve online operojnë të paregjistruar.

Ai vuri në dukje se “kush e fsheh fitimin tatohet me 5%, ndërsa kush e deklaron në mënyrë të ndershme tatohet me 15%”, dhe paralajmëroi se rritjet fiskale do ta vendosin turizmin shqiptar në disavantazh konkurrues me vendet e rajonit.

Pensionet, investimet publike dhe bujqësia

Në analizën e tij mbi shpenzimet buxhetore, Bozdo vuri në pah atë që e cilësoi si raport të përmbysur mes indeksimit të pensioneve dhe bonusit të fundvitit. Sipas tij, indeksimi merr vetëm 4 miliardë lekë kundrejt 20 miliardë lekëve të parashikuara për bonusin, duke shtuar se “pensionistëve u japim bonusin me njërën dorë dhe u merret TVSH 21% në dorën tjetër”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Bozdo argumentoi se rritja nominale e buxhetit nga viti në vit nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët. “Për të gjykuar mbi një projektbuxhet dhe një paketë fiskale, në thelb do të mjaftonte t’i përgjigjeshim vetëm dy pyetjeve: A rriten taksat me paketën fiskale? Dhe përgjigjja është po, taksat rriten për biznesin. A shkojnë këto para te mësuesi, mjeku, fermeri… Jo”, përfundoi deputeti i PD-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme