80 vjet histori, art dhe traditë/Liceu Artistik “Jordan Misja” feston përvjetorin e tij të artë

Arsim | 6 minuta më parë

Tetë dekada histori, përkushtim dhe pasion për artin. Liceu Artistik “Jordan Misja”, një prej institucioneve më të rëndësishme të formimit artistik në vend, feston 80-vjetorin e krijimit, duke rikthyer në vëmendje një histori të pasur vlerash, traditash dhe emrash të shquar që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare.

Në kuadër të këtij përvjetori të rëndësishëm, kori dhe orkestra e shkollës organizuan një koncert të veçantë festiv, kushtuar jo vetëm historisë dhe rrugëtimit të këtij institucioni, por edhe të gjithë atyre mësuesve që ndër vite kanë dhënë një kontribut të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të artistëve.

“Pas tingullit të bukur qëndron një histori e gjatë pune, orë të pafundme ushtrimesh, sakrifica, durim dhe besim. Qëndrojnë duart e mësuesve që kanë udhëhequr brezat tanë, vështrimet inkurajuese, këshillat e çmuara dhe përkushtimi i tyre, që e kanë kthyer mësimdhënien në një mision artistik dhe njerëzor.”

Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë breza të tërë instrumentistësh, këngëtarësh dhe artistësh virtuozë, shumë prej të cilëve kanë ndërtuar karriera të suksesshme brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë emrin e këtij institucioni pjesë të rëndësishme të historisë sonë kulturore.

80 vite më pas, Liceu Artistik “Jordan Misja” mbetet një vatër e rëndësishme e edukimit artistik, ku talenti merr formë, pasioni kthehet në profesion dhe dashuria për artin trashëgohet nga një brez te tjetri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme