Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Corrado Augias, kolosi i gazetarisë dhe kulturës italiane

Europë | 7 minuta më parë

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Corrado Augias, një nga figurat më emblematike të gazetarisë, letërsisë dhe televizionit kulturor italian. I lindur në Romë më 26 janar 1935, Augias la gjurmë të pashlyeshme në jetën publike italiane si gazetar, shkrimtar, dramaturg, prezantues televiziv dhe politikan, duke u konsideruar mbi të gjitha si një intelektual dhe përhapës i palodhur i kulturës.

I njohur për pasionin e tij të thellë për letërsinë, muzikën dhe historinë, si dhe për analizën e mprehtë të shoqërisë bashkëkohore, Augias u shqua për hirin në sjellje, stilin e tij të veçantë, autoironinë dhe kujtesën e jashtëzakonshme. Këto cilësi e mbajtën atë aktiv dhe pikë referimi për publikun deri në ditët e fundit të jetës, veçanërisht përmes drejtimit të emisionit të suksesshëm “Torre di Babele” në televizionin La7, të cilin e nisi në vitin 2023.

Për humbjen e tij ka reaguar me një mesazh ngushëllimi Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i cili vlerësoi lart kontributin e tij disadekadësh në jetën demokratike dhe kulturore të vendit.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Corrado Augias dhe e ruaj kujtimin e një gazetari të lirë dhe një shkrimtari me shumë rafinim, i cili përshkoi dekada të jetës italiane dhe evropiane me mendim kritik, përmbajtje dhe kuriozitet të pashtershëm”, shkroi kreu i shtetit italian.

Presidenti Mattarella nënvizoi se përmes librave, artikujve, rubrikave dhe paraqitjeve televizive, Augias u prezantoi brezave të tërë qytetarëve letërsinë, historinë dhe muzikën, “pa hequr dorë kurrë nga kërkimet rigoroze, ushtrimi i dyshimit, praktika e dialogut dhe respekti për mendimet e të tjerëve”.

Duke shprehur ngushëllimet në emër të Republikës për bashkëshorten dhe vajzën e tij, Natalia, kreu i shtetit shtoi se “kultura e tij, pasioni i tij qytetar, i rrënjosur thellë në vlerat e Kushtetutës, dhe mirësia e tij do të mbeten një pikë referimi për të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan”.

Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës për Corrado Augias do të mbahen të shtunën, më 21 nëntor, në “Sala della Protomoteca” në Kodrën e Kapitolit në Romë. Dyert për publikun do të jenë të hapura nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 18:00, me hyrje nga shkallët e Vignola-s.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme