Sulm kibernetik ndaj Komisionit Europian, frikë për rrjedhjen e të dhënave personale të punonjësve

Komisioni Europian është përballur me një sulm të rëndë kibernetik, i cili ka ngritur shqetësime për mundësinë e vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të të dhënave personale të punonjësve të institucionit. Sulmi ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të brendshme për më shumë se 10 ditë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar plotësisht përmasat e dëmit.
Sipas raportimit të revistës amerikane Politico, sulmi u zbulua në fillim të këtij muaji nga shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të Bashkimit Europian, CERT-EU. Hakerët ndërkombëtarë dyshohet se kanë përdorur ARTEX, një mjet me inteligjencë artificiale, i disponueshëm publikisht dhe i projektuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.
Një zyrtar i BE-së i tha Politico-s se Komisioni beson se ka arritur të përmbajë pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit mbetet ende e paqartë.
Pasojat janë ndjerë veçanërisht në dy platformat e brendshme të institucionit. Bëhet fjalë për Sysper, sistemin e burimeve njerëzore ku punonjësit menaxhojnë pagat, lejet dhe fletët e orarit të punës, si dhe MyPMO, platformën që përdoret për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.
Ndërkohë, përballë situatës, Komisioni Europian ka aktivizuar mekanizmat e tij të brendshëm të menaxhimit të krizave. Sipas një emaili të brendshëm të siguruar nga Politico, në fillim të muajit është thirrur me urgjencë Bordi i Menaxhimit të Korporatës, organi më i lartë i brendshëm për menaxhimin e krizave në institucion.
Departamenti i shërbimeve digjitale ka kërkuar gjithashtu forcimin e kontrolleve të sigurisë, ndërsa komisionerja europiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, ka informuar kolegët e saj gjatë mbledhjes së Komisionerit Kolegjial të mërkurën mbi masat e menjëhershme për përballimin e situatës.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Thomas Regnier, konfirmoi për Politico se institucioni ka ndërmarrë masat e nevojshme pas zbulimit të një fushate sulmesh kibernetike.
“Komisioni Europian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmesh kibernetike që u zbulua. Sisteme të veçanta u shënjestruan dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, njoftuam personat e prekur”, deklaroi ai.
Incidenti i fundit shton shqetësimet për sigurinë digjitale të institucioneve dhe infrastrukturave kritike në Europë, në një periudhë kur sulmet kibernetike po prekin gjithnjë e më shumë institucione shtetërore, kompani dhe shërbime të rëndësishme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




