Rrugëtimi i Egnatias në Europë, UEFA i kushton një speciale kampionëve të Shqipërisë

Egnatia po përjeton për herë të parë në histori emocionet e pjesëmarrjes në fazën e ligës të një kompeticioni të UEFA-s, duke garuar në UEFA Conference League. Skuadra rrogozhinase ka grumbulluar 2 pikë në 3 ndeshjet e para dhe, në gjysmën e mbetur të këtij rrugëtimi, synon të sigurojë pikët e nevojshme për të vijuar aventurën e saj europiane.
UEFA, në revistën e saj kushtuar Conference League, ka përfshirë edhe skuadrën kampione të Shqipërisë, duke e konsideruar si një prej ekipeve më interesante që meriton vëmendjen e gjithë kontinentit. Vlerësimi vjen për atë që Egnatia ka arritur në vitet e fundit në futbollin shqiptar, por mbi të gjitha për paraqitjen në debutimin e saj në këtë kompeticion europian.
Trajneri Nevil Dede rrëfen emocionet e kësaj pjesëmarrjeje të veçantë në Conference League, por edhe sekretet e skuadrës kampione të Shqipërisë dhe mënyrën se si ka arritur suksesin.
“Mendoj se asgjë nuk arrihet në mënyrë individuale. Flasim për futboll, për klubin, kontratat e lojtarëve, më pas vjen administrata dhe në fund është hallka e trajnerit. Mendoj se gjithçka funksionon në unison, mendojmë dhe flasim njësoj. Besoj se ky është sekreti më i madh. Me thënë të drejtën, do të veçoja një gjë: jam i privilegjuar që jam këtu dhe krenar që po punoj në këtë klub. Sigurisht, edhe unë kam kontributin tim, ashtu si të gjithë të tjerët që kanë vendosur nga një tullë në sukseset e këtij klubi.
Kur jam prezantuar për herë të parë, në takimin me presidentin dhe drejtorin, kam kuptuar se ky klub është një familje. Kështu e kam përjetuar që në momentet e para dhe deri kur dolëm kampionë. Vazhdoj ta përjetoj në të njëjtën mënyrë, si një familje ku përcillen ndjenja dhe emocione, por mbi të gjitha dashuri dhe respekt. Normalisht që ka ulje-ngritje edhe në humor, si në raportin me presidentin, me drejtorin, ashtu edhe me çunat. Por, në fund, fakti që mendojmë dhe flasim njësoj është suksesi që kemi arritur. Unë jam vetëm një pjesë e tyre. Dua të vazhdojmë të luajmë kështu siç kemi luajtur deri tani. Ne nuk mbyllemi, nuk vendosim autobus përpara portës. Ne udhëtojmë me charter falë klubit dhe kështu duhet të luajmë, me mentalitetin e një skuadre që udhëton me charter”, thekson trajneri Nevil Dede.
Në anën tjetër, sulmuesi Ildi Gruda tregon rëndësinë që kanë për të dhe për futbollin shqiptar dy golat e realizuar deri më tani me fanellën e Egnatias në Conference League. Ai beson se do të vijojë me të njëjtin ritëm edhe në tri ndeshjet e mbetura, për të lënë gjurmën e tij në këtë kompeticion.
“Për mua personalisht, këta janë gola me një rëndësi të madhe. Është një kompeticion shumë i mirë, ku luhet në nivele të larta dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të arrij të shënoj përsëri, të ndihmoj ekipin dhe të vazhdojmë përpara. Në familjen tonë kanë luajtur të gjithë futboll, duke nisur nga babai, xhaxhai dhe vëllai, e tani edhe unë. Egnatia është një klub i krijuar për të bërë hapa të mëdhenj drejt arenës europiane. Ne po prodhojmë një futboll të bukur dhe besoj se e kemi bërë Shqipërinë sadopak krenare me atë që po tregojmë në fushë. Kemi një grup fantastik, një grup shumë të mirë. Ashtu siç jemi jashtë fushës, këtë frymë përcjellim edhe në fushën e lojës”, shprehet Gruda.
Për Alessandro Albanesse, Egnatia është kthyer në një shtëpi të dytë, ndërsa aktivizimin në Europë me skuadrën rrogozhinase e konsideron si një ëndërr të bërë realitet.
“U përshtata shumë shpejt te Egnatia. Ne jemi si një familje dhe këtë e ndjeva që në momentin kur mbërrita. Që në javën e parë e kuptova se këtu jemi si një familje. Prandaj, isha shumë i lumtur që iu bashkova këtij klubi. Kur përmend Egnatian, menjëherë mendoj për Shqipërinë. Siç e dini, aktualisht është skuadra më e mirë në Shqipëri dhe këtë e kemi treguar edhe gjatë tre viteve të fundit. Jam i lumtur që jam këtu. Të luash në UEFA Conference League me një skuadër shqiptare është diçka shumë e mirë për vendin. Por dua të them se, edhe për mua personalisht, kjo është si një ëndërr. Që kur isha fëmijë, ëndërroja të luaja në Europë dhe tani ka ardhur momenti të tregoj vlerat e mia dhe të vazhdoj përpara”, përfundon Albanesse.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




