Besimtarët katolikë kremtojnë “Udhën e Kryqit”, përkujtohet kalvari i vuajtjeve të Jezu Krishtit

Në Shkodër dhe në Tiranë besimtarët katolikë përkujtuan një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik që njihet si “Udha e Kryqit”.
Pelegrinazhi u mbajt në kryeqytet në sheshin që mban emrin e shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”, ndërsa në Shkodër “Udha e Kryqit” nisi nga Katedralja e qytetit deri tek varrezat katolike të Rrmajit.
“Udha e Kryqit” tregon për besimtarët katolike rrugëtimin e fundit të Krishtit mbi tokë, birit të Zotit që mbajti mbi vetë mëkatet e të gjithë njerëzimit.
E ndërtuar në 14 ndalesa, besimtarët ecin duke u lutur, me qirinj në duar e duke ndjekur rrugën e mundimeve të Krishtit para dhe gjatë kryqëzimit.
Arqipeshkvi Arjan Dodaj ndërsa udhëhiqte këtë çast solemn në qendër të Tiranës, dha mesazhe për të rinjtë, për politikën, për të mirën që duhet të triumfojë ndaj të keqes.
Arqipeshkvi u bëri thirrje të rinjve t’u largohen veseve, drogës dhe të kenë kujdes nga rrjetet sociale. Ndërsa për klasën politike Monsinjori kërkoi që të luftohet korrupsioni që po vret shpresën e të rinjve.
“Udha e Kryqit” shënon fundin e Kreshmës katolike dhe besimtarët bëhen gati për bekimin e ushqimeve sot nëpër Kisha dhe në mesnatë kremtojnë Ringjalljen e Krishtit.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



