Koçiu shpërndan thirrjen e Binos: Vaksinohuni kundër gripit! E vetmja armë për të parandaluar format e rënda dhe fatalitetet

Vendi po përballet me infektime të shtuara nga virusi i gripit, duke sjellë mbingarkim të spitaleve në vend, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu bën thirrje për vaksinim.
“Vaksinat falas anti-grip janë të shpërndara në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për të gjitha grupet e riskuara, personeli mjekësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit si dhe personat me sëmundje kronike. Vaksina e gripit është mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit. Vaksinohu, mbro veten dhe të tjerët”, shkruan Ministrja.
Koçiu ka publikuar në Facebook edhe thirrjen e Shefes së Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino e cila po ashtu i bën thirrje qytetarëve të vaksinohen, veçanërisht atyre që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese dhe personave mbi 60 vjeç. Bino thotë se gripi mund të duket një sëmundje virale e thjeshtë, por shpesh sjellë edhe komplikacione të rënda.
“Jemi në një sezon tipik të gripit, ashtu si gjithë rajoni Evropian, i cili këto 2 javët e fundit ka vënë re një rritje të shpejtë të virozave respiratorë të shkaktuara nga virusi i gripit i cili dominon në të gjitha testimet dhe ekzaminimet që Instituti i Shëndetit Publik ka bërë qoftë në kujdesin parësor qoftë në kujdesin spitalor gripi është një sëmundje virale që në dukje duket i thjeshtë, por shpesh mund të ketë komplikacione të rënda që kërkon shtrim në spital.
Të gjithë qytetarët të cilët janë në moshën mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, të çdo moshe, duhet të bëjnë kujdes. Të ruhen të gjitha masat e higjienës dhe të vaksinohen sepse vaksina është mjeti më i mirë që ne disponojmë sot dhe të mbron nga format e rënda dhe vdekjet. Aktualisht në vendin tonë janë kryer rreth 200 mijë doza vaksina të gripit, kemi akoma vaksina që mund të përdoren dhe është koha që ata që nuk janë vaksinuar të vaksinohen”, shprehet Bino.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



