Lirohet bashkëpunëtori i Artan Tafanit, SPAK: Nuk ka rrezikshmëri, zbërtheu bandën e Leart Haxhisë

Gjykata e Posaçme vendosi të lirojë nga burgu, Enio Meçajn, i arrestuar në muajin qershor si bashkëpunëtor i Artan Tafanit, të riut që çoi në zbulimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale dhe grupit të Leart Haxhisë.
Lirimi i të riut u kërkua nga prokurori i SPAK, për të cilin ka vlerësuar se nuk paraqet rrezikshmëri. Meçaj kishte ndihmuar Tafanin për fshehjen e disa provave në një garazh në Tiranë, mbasi ky i fundit kreu vjedhje në një exchange në kryeqytet.
Sipas dosjes hetimore Meçaj, i ka vënë në dispozicion Artan tafanit një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar policinë për zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin.
Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, si dhe një automjet që rezulton i vjedhur me datë 23 shkurt 2023, në Shijak, Durrës.
Sakaq Artan Tafani, njohur ndryshe edhe si Marius Tafani për të cilin u ra në gjurmë mbasi grabiti 40 mijë eurot, vazhdon nën programin e mbrojtjes së drejtësisë duke qenë se ka rrëfyer një seri krimesh të kryera midis viteve 2019 – 2021 nga grupi kriminal i Leart Haxhisë.
Ky i fundit gjendet i arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë shqiptare, jo vetëm për krimet që zbërtheu Tafani, por edhe për vrasjen e dyfishtë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës ngjarje që ndodhi në Lushnjë në vitin 2017.
Njëherazi Laert Haxhia 32-vjeç ka edhe një masë tjetër sigurie “arrest me burg” mbasi prokuroria e Fierit e akuzojnë për vrasjen e Besnik Hidës, vrarë në Lushnjë në vitin 2019.
SPAK, po kryhen hetime për 12 persona të tjerë që kanë kryer një seri krimesh të rënda si grabitje, vrasje, tentativa vrasje, vjedhje makinash, trafik droge dhe deri tek shkatërrimi i pronës me eksploziv.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



