Vrasja në burgun e Peqinit, Prokuroria kërkon ‘arrest me burg’ për drejtorin dhe 11 gardianë

Prokuroria Elbasanit kërkoi të dielën arrestit me burg për, Sokol Mjacaj dhe 12 zyrtarë të burgut të Peqinit, të ndaluar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në këtë vend të vuajtjes së dënimit të personave me rrezikshmëri të lartë.
Të dielën mësohet se është dorëzuar në gjykatën e Elbasanit kërkesa për vleftësimin e masave të ndalimit dhe caktimin e masave të sigurisë. Problemet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë kohë që kanë nisur, pavarësisht se janë bërë përpjekje për t’i mbajtur larg vëmendjes së publikut.
Kaosi, frika pa justifikim e gardianëve përballë të burgosurve, moszbatimi i ligjit për mënyrën se si funksionojnë burgjet e sigurisë së lartë, çoi edhe në shkarkimin e drejtorit të mëparshëm të burgut, probleme të cilat duket se u thelluan më shumë edhe me ardhjen e drejtuesit të ri, pasi brenda burgut ndodhi një vrasje për pasojë të neglizhimeve të zbatimit të ligjit.
Drejtimin e burgut të Peqinit e mori Kamber Hoxha, që drejtonte institucioni edhe ditën e ngjarjes së rëndë më 15 dhjetor, kur i dënuari vrau brenda në qeli Arben Lleshin dhe plagosi shokun e qelisë, Indrit Shaqja.
Arma e përdorur në vrasje ka hyrë brenda burgut në rrethana ende të paqarta.
“Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve të administruara, arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari, Sokol Mjaca për një kohë rreth 20 ditë. Gjithashtu, kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm)”.- njofton prokuroria, duke nxjerrë në pah mungesën e zbatimit të masave ligjore nga ana e personelit të burgut.
Sipas prokurorisë, punonjësit e shërbimit, nuk kanë kryer kontrollin fizik, në momentin e daljes së të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes, si dhe në ditët e mëparshme.
Por, një fakt i ri që del nga prokuroria, është se Sokol Mjacaj ka qenë edhe më herët në sistemin 41 BIS, dhe transferimi i tij nga ai sistem në repartin B të sigurisë së lartë ku ndodhi vrasja, është bërë sërish pa asnjë kontroll.
“Gjatë transferimit nga ambjentet e godinës të emërtuar si 41 BIS ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi, ndaj të dënuarit Sokol Mjaca rezulton se nuk është kryer procedura standarte e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë.”, njofton prokuroria.
Bashkë me drejtorin e burgut janë tashmë nën akuzë nga prokuroria edhe 11 persona, personel i burgut, për ngjarjen e rëndë të ndodhur.
Është e paqartë nëse për mosfuknsionimin e skanerave të kontrollit është ngritur shqetësimi nga burgu për instancat eprore dhe nëse prej këtyre të fundit ka pasur kontroll, por edhe kërkesë për kthimin në funksion të pajisjeve përfshirë edhe kamerat. Lënia e skanerave jashtë përdorimit e ka lënë burgun në mëshirë të gardianëve.
Akt- akuza e prokurorisë së Elbasanit bën fajtorë për këtë situatë dy zyrtarët kryesorë të burgut.
“Kamber Hoxha, me detyrë drejtor i IEVP Peqin, nuk ka marrë masat e duhura ligjore për menaxhimin e sigurisë në burg duke cënuar rëndë sigurinë në këtë institucion. Shefi i regjimit, me iniciale Q.M, nuk ka respektuar detyrimet ligjore të përcaktuara në skemën sigurisë së burgut për kryerjen e kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj nga godina e 41 bis në sektorin B.”, njofton prokuroria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




