ISHTI aksionin për sigurinë e pikave të shitjes së gazit në kryeqytet

Politikë | 3 vite më parë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku,  e shoqëruar nga nga kreu i ISHTI-t, Sokol Zaimi, ndoqi nga afër aksionin e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) për kontrollin e pikave të shitjes së gazit në kryeqytet.

Sipas Zv.Kryeministres Balluku, prej muajit tetor Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial ka nisur një aksion të rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë për ruajtjen dhe tregtimin e gazit të lëngshëm.

Zv/kryeministrja kërkoi që inspektorët e ISHTI-t të jenë pjesë e grupit të punës për përgatitjen e vendit për sezonin turistik të vitit 2024.

“Një pjesë e inspektorëve duhet të vendosen në jug për të filluar kontrollet në muajt e parë të vitit. Jemi të gjithë të qartë që sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më i suksesshëm se sa vitit 2023 që po lëmë pas. Grupet e punës përfshirë AKU, AKUM, OSHEE, ARRSH Inspektoratin e Mjedisit dhe inspektoratet e vendit duhet të marrin masat që kanë të bëjnë me sigurinë në vend përfshirë atë që duhet të ofrojnë tregtarët e gazit por e dhe përdoruesit e tjerë, pasi tashmë Shqipëria po ofron turizëm gjithëvjetor”, deklaroi Balluku.

Aksioni i ISHTI-t ka nisur në dy zona me dendësi popullsie të lartë, siç është Tirana dhe Durrësi.

Gjatë inspektimit në cisternate gazit, Zëvendëskryeministrja Balluku deklaroi se aksioni ka pasur një sërë rezultatesh dhe se njëkohësisht me inspektimet pranë pikave të tregtimit do të punohet edhe me shkollat ku përdoret gazi i lëngshëm (LNG) në mënyrë që të ketë siguri maksimale. Për këtë, ajo informoi se do të mblidhet një tryezë punë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit javën e ardhshme.

“Synimi është heqja e të gjitha depozitave të gazit të lëngshëm që ndodhen mbi sipërfaqe në të gjitha pikat e tregtimit dhe në shkolla”, deklaroi zv/kryeministrja Balluku.

Nga ana e tij, drejtori i ISHTI-t, Sokol Zaimi bëri të ditur se që nga 1 tetori janë kryer 168 inspektime pranë pikave të karburantit.

“Janë marrë masat e menjëhershme për të hequr apo eliminuar 6 autogaze që paraqisnin rrezikshmëri shumë të lartë. Ndërkohë 7 autogaze të tjera janë spostuar dhe janë zëvendësuar me autogaze nëntokësore”, deklaroi kreu i ISHTI-t, Zaimi.

Zaimi informoi se për 23 autogaze ka nisur procesi për përmirësimin e kushteve teknike në të gjithë vendin.

“Është me rëndësi të veçantë garantimi i sigurisë sa më të lartë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë“, deklaroi kreu i ISHTI-t, Zaimi.

Zv/kryeministrja Balluku bëri të ditur se tashmë bizneset janë të qarta se nuk do të ketë më asnjë tolerim.

“Në rastin sot ku jemi presim që menjëherë të merren masat për futjen nëntokë“, tha kreu i ISHTI-t.

Kreu i ISHTI-t shpjegoi se bizneset po informohen për heqjen e rezervuarëve mbitokësore dhe brenda 30 ditëve ata do të duhet të kenë ndërtuar rezervuarin nëntokësor dhe pas këtij afati ISHTI do të kryejë riinspektim dhe më pas vijohet me ndryshimet në data bazën e ISHTI-t.

Kreu i ISHTI-t, Zaimi bëri të ditur se pas Tiranës dhe Durrësit aksioni do të shtrihet edhe në Fier, Lushnje, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, ku sipas tij është edhe vërejtur problematikë më e madhe.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme