Ministrat e jashtëm të BE: Presim me padurim të hapim kapitujt e parë me Shqipërinë

Këshilli Evropian për Çështjet e Jashtme ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave pasues për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në konkluzionet e takimit të së martës, Këshilli Evropian përshëndeti përfundimin me sukses të takimeve të shqyrtimit të legjislacionit.
“Këshilli pret me padurim të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe hapjen e grupit të parë negociues sa më shpejt të jetë e mundur” shprehet Këshilli Evropian.
Vlerësimet e Këshillit kanë qenë pa ekuivok për përparimin e reformave për shtetin e së drejtës, ndërsa ka rikujtuar se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet thelbësor për të çuar përpara miratimin e reformave të lidhura me BE-në.
“ Këshilli mirëpret përparimin e bërë, veçanërisht në fushat e bazave dhe veçanërisht në sundimin e ligjit, zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe reformën e administratës publike….” çmon Këshilli Evropian.
Në mënyrë të detajuar vlerësimet kanë prekur aktivitetin e organeve të reja të drejtësisë.
“ Këshilli vëren pozitivisht rezultatet konkrete të arritura nga Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe bashkëpunimin e mirë të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së dhe shteteve anëtare” konstaton Këshilli Evropian.
Në vlerësim shterues sidomos për nga konteksti i vetos greke, Keshilli europian jep vlerësime për legjislacionin e pakicave.
“ Këshilli europian mirëpret miratimin e legjislacionit dytësor për minoritetet dhe vazhdon të nxisë Shqipërinë miratojë dhe zbatojë me shpejtësi aktet nënligjore të mbetura në lidhje me ligjin kuadër të 2017 për mbrojtjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës” sugjeron Këshilli Evropian .
Në vlerësimin e Këshillit europian politika e jashtme e Shqipërisë ka vazhduar të marrë notë maksimale për bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe në veçanti përafrimin e saj të plotë me BE-në, duke përfshirë edhe masat kufizuese si një shprehje e fortë e angazhimit strategjik të Shqipërisë në rrugën e saj në BE, por edhe rolin në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Gazetare: Entela Komnino
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




