Tentativa e grabitjes dhe sulmi ndaj policisë/ 5 grabitësit u ndanë në 2 grupe, në ikje hapën zjarr ndaj efektivëve

Pesë persona tentuan mbrëmjen e së shtunës të grabisin një banesë në Prush të Tiranës, por njëri nga nipërit e pronarit të shtëpisë njoftoi Policinë, e cila sapo mbërriti u përball me plumbat e grabitësve.
Fatmirësisht, nga shkëmbimi i zjarrit mes efektivëve dhe grabitësve, nuk pati të lënduar, por gjatë orëve të natës së shtunë dhe paradites së të dielës Policia shoqëroi dhjetë persona, kryesisht me precedentë të mëparshëm penal, por deri tani nuk ka arritur që të identifikojë autorët.
Sipas të dhënave të policisë, nga 5 autorët, dy prej tyre mësohet se ishin të armatosur me kallashnikov, të cilët qëlluan edhe në drejtim të patrullës së policisë ndërsa efektivët iu kundërpërgjigjën me armë.
Grabitësit për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë u ndanë në dy pjesë, ky dy prej tyre u larguan përmes një zone malore të pyllëzuar. Tri të tjerët u futën në një ‘Audi’ të bardhë me targa të falsifikuara.
Në vendin e ngjarjes mbetën disa prova, si gëzhoja fishekësh apo levat që mbanin agresorët për të kryer grabitjen.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se Policia e Shtetit do të rrisë vigjilencën gjatë festave të fundvitit, ndërsa elementë të caktuar kriminalë tentojnë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të vitit për veprimtaritë e tyre kriminale kundër pronës dhe personit.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria shton ai kanë avancuar drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Gazetari: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



