Ligj për adresat e detyrueshme, gjobë 100 mijë lekë kryebashkiakëve që nuk e zbatojnë

Aktualitet | 3 vite më parë

Qytetarë të Tiranës por jo vetëm, përdorin shpesh pallatin me shigjeta si një pikë orientimi,  në mungesë të një adrese të saktë.

Por kjo situatë pritet të ndryshojë së afërmi, pasi Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj, që detyron të gjitha bashkitë të vendosin adresat e çdo rruge apo bllok banimi. Në të kundërt kryetarët e bashkive do të gjobiten.

Por si orientohen sot qytetarët dhe a e mirëpresin ata vendosjen e emrave të rrugëve dhe adresave në blloqet e banimit. 

“Për sa i përket qytetit të Durrësit, është shumë problematike, madje edhe posta nuk vjen ndonjëherë për shkak të mungesës së numrave dhe adresës së saktë. Unë jetoj në Shkallnuer, ku nuk kemi as tabela rrugësh që të orientohemi,” shprehet një qytetar.

Vendosja e adresave për rrugët dhe blloqet e banimit do të ndihmojë dhe autoritet shtetërore, policinë, shërbimet spitalore, zjarrfikësit dhe shërbimin postar që të ofrojnë shërbimin e duhur, pasi do ta kenë më të lehtë të gjejnë qytetarët apo subjektet.

Ministria e Brendshme ka hartuar një projektligj me disa ndryshime në ligjin “Për sistemin e adresave” duke theksuar edhe një herë detyrimet që kanë bashkitë, vendosjen e masave administrative për ata që nuk përmbushin këto detyrime si dhe mënyrën sesi do të bëhet numërtimi i banesave dhe përballimi i kostove.

Sipas këtij projektligji janë Bashkitë që vendosin tabelat e emërtimit për zonën e qarkullimit civil brenda 90 ditëve nga miratimi i këtij ligji, sipas adresës në Regjistrin Kombëtar të Adresave.

Projektligji parashikon një masë administrative në vlerën 100 mijë lekë për kryetarin e bashkisë ku pjesë të territorit publik rezultojnë të paemërtuara dhe të panumërtuara me tabelat përkatëse. 

Gazetare: Teuta Shamku

/rtsh.al


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme