Shtyhet gjyqi ndaj Laert Haxhiut, GJKKO cakton 2 avokatë të tjerë kryesisht

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar dy avokatë të tjerë kryesisht për Laert Haxhiun pas dorëheqjes së Pranvera Doçit për të marrë në mbrojtje të fortin e Lushnjës.
Avokatët e shtetit do të jenë Edvis Gorishti dhe Artan Simoni. Ky i fundit është edhe një emër i njohur tashmë së fundmi për opinionin publik pasi u caktua për të mbrojtur në Gjykatën e Posaçme ish-kryeministrin Berisha, por që më pas u tërhoq.
Nga ana e saj, avokatja Pranvera Doçi tha se për shkak të një fatkeqësie familjare e kishte të pamundur të ndiqte procesin si dhe për shkak të dosjes voluminoze.
Ndërkaq, Detar Hysi i cili ishte caktuar me avokat me prokurë të posaçme nga familjarët e Laert Haxhiut iu rrëzua kërkesa për dorëheqje nga mbrojtja. Mosparaqitja e tij në gjyq në seancë, u shoqërua me ndëshkimin administrativ prej 5 mijë lekësh të rinj.
Gjyqi në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ndaj Laert Haxhiut u shty për në datën 17 nëntor në orën 11:00 ndërsa ka mbetur për tu pyetur edhe një dëshmitar nga prokuroria dhe më pas do jetë radha e dëshmitarëve të mbrojtjes.
Dosja ndaj Laert Haxhiut
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit u ka dërguar letërporosi disa vendeve të Bashkimit Evropian, pas rrëfimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafanit rreth 2 linjave të trafikut të kokainës jashtë territorit të vendit tonë.
SPAK ka studiuar të gjitha deklarimet e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili çoi në zbardhjen e disa prej ngjarjeve të rënda kriminale.
Laert Haxhiu dhe pjesa tjetër e të arrestuarve, akuzohen se janë autorë të 4 vrasjeve në Shqipëri, 2 në Greqi dhe disa plane vrasjesh dhe ngjarjeve të tjera me shpërthim tritoli.
Haxhiu u arrestua në Greqi dhe vijon të jetë në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatave për ta ekstraduar në Shqipëri.
I forti i Lushnjës rezulton i dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Gerti Lalës në vitit 2010. Gjithashtu në SPAK vazhdon gjykimi për vrasjen Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në vitin 2017, ngjarje në të cilën objektiv i sulmit ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



