13 mijë metër tokë me dokumente false, Prokuroria Vlorë sekuestron pasurinë me vlerë 2.7 mln euro

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar arrest me burg për një person dhe arrest shtëpie për motrën e toij, pasi kanë përvetësuar 13 mijë m2 tokë me dokumente të falsifikuara.
Po ashtu, është sekuestruar pasuria me vlerë 2.7 milionë euro, pasi nga hetimet e nisura në 2021, ka rezultuar se motër e vëlla, e kanë regjistruar tokën prej 13 mijë m2 pranë ASHK-së me dokumente të falsifikuara.
Në kohën e kryerjes së veprimeve, ndarje, transaksione/shitje, duke e kaluar pjesën më të madhe të tokës tek persona të tretë, E.M rezultonte në detyrë topograf në Bashkinë e Himarës.
Dokumentet e falsifikuara u përdorën në disa institucione nga ana e personave nën hetim, si; Këshillin e Qarkut Vlorë; Bashkinë Himarë; në procesin gjyqësor të zhvilluar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si dhe më pas pranë ish-ZVRPP Vlorë (sot ASHK).
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vendosi sekuestrimin e 13.750 m2 tokë e vlerësuar 2.750.000 euro, në fshatin Gjilek të Bashkisë Himarë, pasi nga hetimet u provua se është regjistruar pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara.
Për regjistrimin e pronës shtetasja L.M., inicioi një proçes gjyqësor administrativ pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë, ku kërkoi regjistrimin e të gjithë sipërfaqes sipas dokumentit pronësor AMTP nr.9859. Në gjykimin administrativ, nga ana e shtetasve E.M. dhe L.M., janë përdorur dokumentet e falsifikuara, Formular nr.6 dhe AMTP”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas regjistrimit pranë ish-ZVRPP Vlorë të sipërfaqes prej 13 mijë m2 mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara.
Një pjesë e kësaj prone ka mbetur në bashkëpronësi të E.M. dhe L.M., ndërsa nga sipërfaqja totale prej 13.750 m2, është shitur një sipërfaqe prej 7.050 m2.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



