Marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë, Kurti: Synojmë bashkim të plotë doganor mes palëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Sfidat dhe Perspektiva e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë – Shqipëri dhe Rajon”, e cila po zhvilloi punimet e ditës së dytë dhe të fundit.
Kurti tha se Kosova kërkon vijimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, aq më shumë me Shqipërinë, ndërsa solli disa të dhëna konkrete të dy vendeve në fushën e ekonomisë.
“Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 kanë shënuar rritje me 136.5%, të shprehur në vlera (në vitin 2019 kishim 15.2 milionë investime; një vit më vonë 2020 – 39.8 milionë; 2021 – 50.4 milionë dhe në vitin e kaluar 2022-79.7 milionë euro). Dëshirë e Kosovës është që këto investime të rriten, dhe që shteti ynë të jetë sa më mikpritës për biznesin, kapitalin e konsumatorin që vjen nga Shqipëria” tha zoti Kurti.
Por, Kurti foli edhe për synimet e Shqipërisë dhe Kosovës për të ardhmen.
“Angazhimi i radhës për të cilën kemi rënë dakord, është analiza ligjore e teknike (road map) për mundësinë e një bashkimi të plotë doganor mes palëve. Grupi i Punës ka përgatitur analizën përkatëse duke propozuar edhe instrumentet dhe masat për të shkuar drejt bashkimit doganor (unifikimi i procedurave, përafrimi tarifor, minimizimi i barrierave jotarifore, ristrukturimi i pikave të përbashkëta të kalimit kufitar etj)” tha ai.
Për Kurtin, konferenca të tilla japin shumë efekte në planin konkret të integrimit të përbashkët të vendeve.
Gazetare Flutura Tota
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




