Sezoni turistik, Rama: S’ka më derdhje të ujërave të zeza në det apo liqene. Gati akti ligjor

Aktualitet | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sezonin turistik të këtij viti si më të mirin, teksa garantoi se deri në fund, numri i vizitorëve të huaj do të ketë shkuar në 9 milionë.

Rama tha se rezultati i këtij viti nuk është rastësi, por shtoi se ka ende gjëra për t’u rregulluar. Kreu i qeverisë e vuri theksin te ujërat e zeza, duke paralajmëruar të gjitha bizneset se derdhja në det apo liqene do të marrë fund. Ai shtoi se po bëhet gati edhe një akt ligjor si dhe do të ngrihet edhe një taskë-force.

“Sfidat janë siguria, kemi nevojë të kemi më shumë kontroll sa i përket aksidenteve rrugore. Na duhet të investojmë më shumë, na duhet të fusim më tepër inteligjencën digjitale, monitorimin me kamera dhe më tepër energji për të edukuar drejtuesit e automjeteve. Ky është një front që duhet ta kemi parasysh. Nuk mund të derdhim më ujërat e zeza në det, as në liqene. Kjo bëhet duke u thënë qartë me një akt të menjëhershëm ligjor që ne po bëjmë gati, pro edhe me një taskë forcë që do ngrihet, njësive të shërbimit që epoka e gropës septike mbaroi. Do investosh për depurimin e ujërave të zeza. Kostoja është e përballueshme”, u shpreh Rama.

Kryeministri paralajmëroi se bumi turistik i këtij viti mund të sjellë një efekt negativ vitin që vjen, në rast se nuk punohet për të përballuar sfidat që janë përpara.

“Bumi turistik i këtij viti, përtej efekteve të jashtëzakonshme pozitive, na vuri përpara edhe sfida të mprehta që duhet të fillojmë t’i adresojmë. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se rreziku që gjithë ky nam i madh dhe i mirë i këtij viti të kthehet në bumerang në vitet në vijim është real. Mund të kthehet nëse ne nuk jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që do të jetë edhe më e madhe vitin e ardhshëm. Ne mund të kemi një Shqipëri turistike në 365 ditët e vitit”, tha Rama.

Si shqetësim, kryeministri vuri në dukje faktin se Shqipëri po profilizohet si vend ku pushimet mund të bëhen me shumë pak shpenzime. Rama u shpreh se qëllimi është që Shqipëria të jetë një vend edhe me turizëm të një niveli të lartë, për të tërhequr konsumatorë të mëdhenj.

“Shqetësimi është që Shqipëria të mos profilizohet dhe përmbyllet në perceptimin si një vend i turizmit locost. Ne duam të jemi një vend ku ka edhe turizëm locost, pro edhe turizmit të nivelit të lartë që sjellë konsumatorët e mëdhenj sepse ata sjellin shumë më shumë para për ekonominë tonë”, theksoi Rama.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme