Zjarr në Darëzezë të Fierit/ Ministri Balla: Kemi kërkuar ndihmë te Mbrojtja Civile e BE-së

Aktualitet | 3 vite më parë

Shqipëria u ka kërkuar ndihmë vendeve europiane për të ndërhyrë për shuarjen e një zjarri masiv të riaktivizuar në Darëzezë të Fierit.

Beteja për shuarjen e vatrave te zjarrit vijon edhe në ditën e 6-të, ne masivin pyjor të Pishporos dhe Darëzezës.

Forcat operacionale kanë qenë në terren deri në mesnatë, pasi të favorizuara nga era e fortë detare, të gjitha vatrat e zjarrit në pyll janë riaktivizuar duke u përhapur deri në masivin pyjor të Darëzezës, ku flakët u afruan deri në 300 metra pranë zonës së banuar.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, zbriti në terren për të ndjekur nga afër situatën.

“Kemi kërkuar të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për shuarjen e zjarrit të madh. Në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve në mënyrë që në raste zjarri, situata të menaxhohet lehtë. Ky është një masiv pyjor me vlerë të veçantë, e fatmirësisht pylli me pisha është i rigjenerueshëm,” u shpreh ministri Balla nga Darëzeza.

Dy mjete zjarrfikëse kanë vënë nën kontroll këtë vatër zjarri të rrezikshme, ndërkohë që përgjatë gjithë natës zona është monitoruar nga shërbimet zjarrfikëse.

Sipas prefektit Lefter Shehaj, operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në terren po punojnë 5 mjete zjarrfikëse me 20 efektivë, 40 efektivë të forcave të armatosura, forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes.

”Zjarri është në mesin e zonës pyjore, ka qenë e pamundur të hyje deri në brendësi të pyllit. Këtu era favorizon hapjen e vatrave të zjarrit. Operojmë më shumë gjatë orëve të para të ditës dhe orëve të mbrëmjes kur intensiteti i erës na mundëson për ndërhyrje. Aktualisht nuk kemi rrezik potencial për banesat, jemi larg këtij perimetri”, tha prefektit Lefter Shehaj.

Aktualisht vatrat e zjarrit për shkak të vesës janë me intensitet të ulët.

Gazetar: A.Shyti

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme