Zgjedhjet në Kukës/ Gjekmarkaj: Faktorët opozitarë të mendojnë për daljen nga situata

Politikë | 3 vite më parë

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka shprehur sot keqardhjen për rezultatin e zgjedhjeve të ripërsëritura në Kukës, duke thënë se demokratët nuk e meritonin humbjen e thellë.

Ai u shpreh se të gjithë faktorët opozitarë duhet të mendojnë seriozisht për përgjegjësitë dhe alternativat për të dalë nga kjo situatë.

Sipas z. Gjekmarkaj problemi nuk zgjidhet duke kërkuar fajin te tjetri e duke përjashtuar veten, se “fajtori më i madh është ai që nuk pranon fajësinë”.

“Keqardhje për humbjen e thellë të demokrateve në Kukës të cilët kurrsesi nuk e meritonin. Kjo është humbja e fundit në një seri që s’ka të ndalur. Të gjithë faktorët opozitarë duhet të mendojnë për përgjegjësitë seriozisht dhe alternativat për të dalë nga kjo situatë. Prej kohesh kam insistuar në faktin që shoqëria nuk vjen tek ne me këtë lloj opozitarizmi që bëjmë sot dhe alternative pushteti që shfaqim para tyre për nesër. Kush i shmanget këtij realiteti dëshiron që ky realitet të përjetësohet.

Nuk e zgjidh problemin kërkimi i fajit tek tjetri duke përjashtuar veten. Vetëviktimizimi i përhershëm tek e fundit është sëmundje mendore ose hipokrizi. Të gjithë jemi fajtorë por fajtori  më i madh është ai ose ata që nuk e pranojnë fajësinë. Përsa me përket mua ndjesë demokrateve duke ju garantuar që nuk do resht së thëni të vërtetën edhe kur ajo djeg,” ka përfundur reagimin e tij deputeti Gjekmarkaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme