Policia e Kukësit, masa për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë

Aktualitet | 3 vite më parë

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës deklaroi masat për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator, për kryetarin e Bashkisë së Kukësit.

Zëvëndësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar Kujtim Gjoka tha se “I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor. Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor. Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës”, tha ai.

Gjithashtu, shtoi Gjoka, “për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie”.

Policia u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve të përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. 

“Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt” tha Zëvëndësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar Kujtim Gjoka.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme