Trafik droge nga Shqipëria në Malin e Zi, babë e bir kapen me 300 kg kanabis

Policia ka vendosur në pranga dy persona, babë e bir pasi janë kapur me 300 kilogramë drogë e llojit kanabis-sativa.
Ata janë arrestuar në doganën e Malit të Zi pasi gjatë kontrollit të kamionit që drejtohej nga shtetasi K.O i cili shoqërohej nga babai i tij, me iniciale I.O janë gjetur 300 kilogramë drogë.
Sipas policisë, droga kishte destinacion Austrinë dhe të dy të arrestuarit po tentonin ta kalonin përmes Malit të Zi.
“Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës”
Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, të dyja autoritetet kanë nisur hetimet për rastin e trafikimit të sasisë rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, që ishte nisur nga Shqipëria për në Malin e Zi.
“Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar ndaj 2 rasteve të fundit të zbulimit të mbi 10 mijë bimëve kanabis të kultivuara në Velipojë si dhe kapjes së një ngarkese me hashash në Pikën e Kalimit Kufitar me Malin e Zi. Ai kërkoi hetim të thelluar dhe përballjen me drejtësinë, për çdo person të implikuar.
“Nisur nga rastet e kapjes së lëndës narkotike në pikat e kalimit kufitar, Agjencia e Mbikeqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë duhet të hetojnë plotësisht gjithë rrugëtimin që nga momenti i kultivimit apo hyrjes në territorin e vendit tonë, për të nxjerrë përgjegjësinë e atyre drejtorëve, shefave apo kontrollorëve policie që nuk e kanë bërë detyrën”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Ai thekson se operacionet e rëndësishme të kryera nga Policia në javët e fundit, nuk duhet të ndalin për asnjë moment dhe veç pezullimit të oficerëve të policisë, hetimet duhet të vijojnë më tej.
“E kam thënë që ditën e parë në detyrë se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka mundësi të vetme të korret, pa një shef që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur apo kontrolluar në një pikë kalimi kufitar.
Goditja e një rasti tjetër kultivimi të bimëve narkotike, në Velipojë, ku u asgjësuan mbi 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, nxorri në pah edhe përgjegjësinë apo mbylljen e syve të strukturave përkatëse të Policisë vendore.
Pezullimi i menjëhershëm i Shefit të Stacionit të Policisë së Shtetit Velipojë bashkë me tre oficerë të tjerë policie në këtë stacion, është vetëm hapi i parë ndërshkimor për mbylljen e syve apo ndoshta edhe përfshirjen e tyre në borderotë e grupeve kriminale që prisnin të korrnin ato 10 mijë bimë narkotike. Prandaj vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit nga kushdo që tradhëton këtë luftë do të vazhdojë çdo ditë, pa kthim pas!“, nënvizon ministri i Brendshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




