Ndalimi i qeseve plastike/ Ibrahimaj-institucioneve: Përmbushni detyrimet ligjore. Kumbaro: Kontrolle në terren

Ndalimi i përdorimit të qeseve plastike ishte fokusi i takimit të mbajtur sot (23 maj) nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ku e pranishme ka qenë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.
Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se fushata sensibilizuese e ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore që ndalonin përdorimin e qeseve plastike dha efekte pozitive në treg. Kumbaro vuri theksin te rëndësia e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.
Urdhri i Kryeministrit parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësitë e vetëqeverisje vendore përmes policisë bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u angazhua në një fushatë të gjerë sensibilizuese lidhur me ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike.
Dy institucionet në varësi të MFE, ISHMT dhe DPD kanë ushtruar përgjegjësitë përkatëse, me synimin kryesor sensibilizimin e subjekteve tregtare për mos përdorimin e qeseve plastike. Më konkretisht, ISHMT ka zhvilluar një sërë inspektimesh në terren, ndërsa DPD ka krijuar profile risku në bazë të kodeve tarifore ku përfshihen qeset plastike dhe ka kryer një sërë kontrollesh të deklaratave doganore.
Gjatë periudhës në vijim, të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces do të koordinojnë punën mes tyre dhe do të fokusohen në ushtrimin e kontrolleve dhe inspektimeve, në mënyrë që të garantohet zbatimi i ligjit sa i përket qeseve plastike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



