Tashmë traditë, “Dyert e Hapura të Ambasadës” në Uashington DC

Ditët e fundit Ambasada e Shqipërisë në SHBA mirëpriti qytetarë të Uashington DC e zonave përreth, njofton ajo në rrjetet sociale.
Ky aktivitet, aq sa cilësor dhe masiv ka si qëllim “xhiron e botës” përmes vizitës së Ambasadave dhe prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington, kulturën dhe traditat e larmishme të secilit vend që ato përfaqësojnë. Këtë vit, mbi 60 ambasada hapën dyert për të pritur vizitorët amerikanë.
Që nga viti 2016 kur mori pjesë për herë të parë, mbi 25.000 qytetarë amerikanë kanë vizituar Ambasadën Shqiptare gjatë këtij aktiviteti, të cilët kanë marrë me vete një kujtim dhe një pjesë nga Shqipëria.
Ambasada është fokusuar në promivimin e Shqipërisë me një tematikë të caktuar.
Këtë vit, #PassportDC u fokusua tek promovimi i turizmit, faunës shqiptare dhe trashëgimisë natyrore të disa llojave të shpendëve.
Interes tërhoqi këndi i ushqimit tradicional si dhe mësimi i fjalëve në gjuhën shqipe.
Për të njohur vizitorët me vendet më atraktive turistike u dedikua një hapësirë e posatshme, ku pjesëmarrësit u njohën në detaje me ofertën e larmishme që ofron turizmi shqiptar.
Një vëmendje të veçantë mori edhe fauna shqiptare. Një ekspozitë fotografike shoqëroi aktivitetin për të njohur uashingtonasit me shumëllojshmërinë e shpendëve që ofron Shqipëria.
Aktiviteti u ndërthur me prezantimin me mësimin e “fjalëve magjike” në gjuhën shqipe, fotot e panumërta nga Shqipëria dhe interesin mbi traditat tona të veçanta.
Edhe këtë vit, aktiviteti kulmoi me organizimin e një shorteu “DVLotaryAlbania2023”, i cili ofroi një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë për dy individë. Një numër tepër i lartë i pjesëmarrësve priti me emocion hedhjen e shorteut nga ky dolën dy fitues.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




