Akuzohet për mashtrim në vlerën 150 mln dollarë, Gjykata e Lartë refuzon ekstradimin e shtetasit kinez, Liangbin Chen drejt Kinës

Aktualitet | 4 vite më parë

Gjykata e Lartë ka refuzuar ekstradimin e shtetasi kinez Liangbin Chen, lindur ne Kinë dhe banues ne Dubai dhe Kamboxhia, i arrestuar një vit më parë, për akuzën e mashtrimit kompjuterik me pasoja të rënda. Autoritetet kineze e akuzojnë Chen se ka mashtruar mijëra qytetarë me vlerë rreth 150 milion dollarë, nëpërmjet platformave për bastet sportive online.  Por Gjykata e Lartë ka refuzuar ekstradimin me arsyetimin për mangësi procedurale, si dhe prej faktit se shtetit shqiptar nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Kinën.

“Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës për lejimin e ekstradimit të shtetasit Liangbin Chen, në Republikën Popullore të Kinës, për efekt të zbatimit të vendimit penal të Gjykatës Deging të Provincës Zhejiang, Kinë. Revokimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, të caktuar ndaj shtetasit, Liangbin Chen, për efekt të këtij procedimi, lidhur me ekstradimin.”- thuhet në vendimin e gjykatës ku relator ka qenë gjyqtari, Sokol Binaj.

Vendimet gjyqësore dhe akuzat

Muaj më parë shtetasi kinez Liangbin Chen, i kërkoi Gjykatës së Lartë që të pezullojë vendimin për ekstradimin e tij drejt Kinës, vendim i marrë nga Gjykata shkallës së parë Tiranë.

Për 33-vjeçarin të dyja shkallët e gjykimit kanë miratuar kërkesën e prokurorisë për dorëzimin e tij pranë autoriteteve kineze, të cilat e akuzojnë se ka mashtruar mijëra qytetarë me vlerë rreth 150 milion dollarë.

Shtetasi kinez u arrestua verën e kaluar në aeroportin e Rinasit. Ai fillimisht u mbajt në masën e “arrestit në burg”, por, prej disa muajsh, i’u ndryshua kjo masë sigurie, për shkak të gjendjes shëndetësore, me “arrest shtëpiak”. Avokatët e tij mbrojtës kanë kërkuar që 33-vjeçarit t’i pranohet kërkesa për azil politik në vendin tonë, pasi esktradimi drejt Kinës mund ti rrezikonte  jetën.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme