137 kg kokainë nga Ekuadori/ Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi vendimin për dënimin e biznesmenit Malindi

Aktualitet | 4 vite më parë

 Gjykata e Posaçme e Apelit kanë lënë në fuqi vendimin e  Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për dënimin me 13 vite burg të biznesmenit Gentian Malindi.

Pas aplikimit për gjykim të shkurtuar, Malindi dënohet me 8 vjet e 8 muaj burg për trafikun e 137 kilogramë kokainë nga Ekuadori në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Malindi do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Si u kap droga në portin e Durrësit

Që prej vitit vitit 2019, Malindi ishte në kërkim për trafikun e kokainës nga Ekuadori e ngarkuar në kontejnerët e kompanisë  “Alba Exotic Fruit”.  Për t’i shpëtuar prangave Malindi u dha policëve mjet identifikimi me emër tjetër. Për këtë arsye, ndaj tij rëndon edhe akuzat e “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave, ose të vizave.

Në gushtin e vitit 2019 kontejnerët mbërritën nga Ekuadori transit në portin e Pireut në Greqi. DEA dhe autoritetet greke e zëvendësuan kokainën me oriz dhe e lejuan atë të zbarkohej në Durrës për të zbuluar grupin që e priste.

Kontejnerët qëndruan për 26 ditë në portin e Pireut ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s (zyra kundër drogës në SHBA) me seli në Athinë u vendos dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit.

Katër kontejnerët të cilët priteshin nga grupi i Gentian Malindit në Durrës mbërritën në mbrëmjen e 17 shtatorit 2019. Por grupi nuk ishte i pranishëm atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapën njërin nga kontejnerët. Duke iu referuar dosjes hetimore ata hapën vetëm kontejnerin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore por aty gjetën vetëm 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar gjithë grupin e strukturuar kriminal.

Në nëntor të vitit  2020  Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për biznesmenin Gentian Malindi, për trafikimin e një sasie prej 137 kg kokaine nga Ekuadori. Ndërsa sot Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e dënuar me 8 vjet e 8 mua për trafikimin e 137 kokainë nga Ekuadori në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme