Tiranë, punime në Unazën e Madhe, ARRSH njofton ndryshimin e lëvizjes së makinave për 2 muaj

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur të enjten se, në kuadër të zbatimit të projektit në Unazën e Madhe, duke filluar nga dita e diel, datë 23.04.2023, për një periudhë dymujore, do të ndryshojë drejtimi i lëvizjes së makinave.
Të gjitha automjetet që vijnë nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta, aksi kryesor, në drejtim të Astirit, do të devijojnë majtas, ndërsa ato që kanë destinacion Qendrën, Laprakën, Astirin, do të marrin daljen e autostradës pa u futur në nënkalimin e Astirit.
“Automjetet që kanë destinacion Durrësin dhe Aeroportin do të vazhdojnë drejt përgjatë unazës. Ndërsa automjetet që vijnë nga kryqëzimi i Astirit (rruga dytësore) në drejtim të Pallatit me Shigjeta dhe që kanë destinacion Elbasanin, do të marrin daljen për në rrugën kryesore sipas sinjalistikës që do të vendoset. Sa i përket makinave që vijnë nga aksi kryesor nuk do të kenë ndryshim lëvizjeje”- thuhet në njoftim.
Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se ka marrë të gjitha masat për kufizimin e kantierit ku do të kryhen punimet, si dhe vendosjen e sinjalistikës provizore për të orientuar përdoruesit e rrugës.
ARRSH, me këtë rast, kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe të përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks, deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




