Në lokalin e tij u bë atentat, në gjykatën e Tiranës shtyhet gjyqi për Fation Muratin

Aktualitet | 4 vite më parë

Këtë të mërkurë ishte parashikuar që të mbahej seanca në ngarkim të Fation Muratit, në lokalin e të cilit u krye një atentat, ku mbeti e vdekur banakierja dhe u plagosën 6 persona të tjerë, por seanca u shty, pasi avokatët e mikut të tij, Kristian Gjini nuk ishin të pranishëm.

Siç bëhet e ditur, në seancë për Muratin dhe Kristian Gjinin, të akuzuar për ‘armëmbajtje pa leje’, priteshin konkluzionet e Prokurorisë ndërsa seanca e radhës u caktua për më 29 mars.

Ndërkohë, mësohet se disa javë më parë Fation Murati kishte kërkuar nga Prokurori leje një mujore të dilte në orën 8 nga shtëpia dhe të kthehej në orën 20 për arsye shëndetësore  pasi do të kryente disa ekzaminime, kërkesë që i është refuzuar. 

Fation Murati, që njihet si mik i ngushtë i Endrit Dokles, pas ngjarjes kriminale që ndodhi në “Don Bosko”, më 12 mars, nuk është gjetur në banesën e tij, ku ishte në arrest shtëpie, ndërsa mendohet se është larguar ilegalisht jashtë vendit.

Fation Murati dhe Kristjan Gjini ishin arrestuar për arsenalin e armëve të gjetur më 13 korrik të 2022 ndërsa më 12 mars 2023, drejt lokalit të Muratit dy persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri kallashnikov.

Bilanci i atentatit ishte një grua e vrarë dhe gjashtë të plagosur dhe dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrje ndaj vrasjeve të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë, Laç e Lezhë, ku në shënjestër ishin njerëzit e Ervis Martinaj, të cilët u ekzekutuan njëri pas tjetrit përgjatë dy viteve të fundit.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme