Kërkohet konfiskimi i pasurive të Selami Durakut dhe familjarëve të tij: U siguruan nga trafiku i drogës në Angli

Aktualitet | 4 vite më parë

Prokuroria e Tiranës i kërkoi sot (15 mars) gjykatës së Tiranës konfiskimin e pasurive Selami Duraku dhe familjarëve të tij pasi dyshohet se janë siguruar nga veprimtaria kriminale në Angli.

Sipas prokurorisë pasuritë nuk justifikohen nga burime të ardhurash të ligjshme dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Selami Duraku është në proces gjyqësor në Angli pasi ka qenë i arrestuar nga policia e Leicestershire/Mbretëri e Bashkuar, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Po në proces gjyqësor në  Angli është dhe një familar i tij V. Duraku i arrestuar nga policia e Leicestershire/Mbretëri e Bashkuar, për veprën penale të “Mashtrimit, përfshirë dhe falsifikim dokumentesh”

Prokuroria e Tiranës thotë se pasuritë zotërohen nga prindërit e tyre dhe se ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara.

Pasuritë të cilat prokuroria kërkon konfiskimin janë dy apartamente me sipërfaqe mbi 100 m2 dhe dy garazhe.

Prokuroria kërkon:

Konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit, të pasurive në pronësi të shtetasve R.D., e Gj.D., si më poshtë:

– Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 103.20 m2, në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë, në pronësi të shtetasit Rr.D.

– Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe 100 m2, në rrugën Aleksander Moisiu, Tiranë, në pronësi të shtetases Gj. D.

– Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 17.20 m2, në rrugën Aleksander Moisiu, Tiranë, në pronësi të shtetasit Rr.D.

– Pasuri e llojit garazh, me sipërfaqe 17.40 m2, në rrugën Aleksander Moisiu, Tiranë, në pronësi të shtetases Gj. D.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme