Arrestimi i efektivit të RENEA-s/ Dy orë para dorëzoi para te persona të skeduar, dyshime për lidhje me grupin e Martinajt

Aktualitet | 4 vite më parë

Efektivi i repartit elitë, RENEA, i cili u arrestua pasditen e së martës( 14 mars) me 113 mijë euro në automjetin e tij, ka dyshime të forta se është përfshirë në trafikimin e drograve të forta në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, si dhe në mbrojtjen që ai u ka bërë njerëzve të Ervis Martinajt.

Ndonëse autoritetet policore nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth çështjes, burime brenda tyre bëjnë me dije, se Altin Morina dy orë para së të arrestohej ka qenë në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se ka dorëzuar atje shuma parash te persona te skeduar nga ana e drejtësisë dhe autoriteteve ligjzbatuese.

Bëhet e ditur, se 113 mijë eurot janë të efektivit edhe pse nuk ka deklaruar asgjë para kolegëve te tij kur ata e morën në pyetje dhe i kërkuan sqarime për burimin e këtyre vlerave monetare.

Pak minuta para se të prangosej, mësohet se ai është vëzhguar nga Forcat Operacionale se ndodhej në mjet me një zyrtar të lartë të një agjencie ligjzbatuese, identiteti i të cilit nuk bëhet publik nga hetuesit për shkak të sekretit hetimor dhe nuk dihet arsyeja pse efektivi nuk është ndaluar në momentin që ishte me të.

Po të njëjtat burime saktësuan, se ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e Ervis Martinajt, dyshime që janë përforcuar para 8 ditësh, kur ai është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt, ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm

Altin Morina u arrestua mesditën e 14 marsit 2023 në Tiranë në zonën e Kodrës së Diellit.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme