Projektligji për emigracionin, avokati Hasani: Prioritet i Kryeministrit Sunak! Numri i shqiptarëve në Britani, mjaft i lartë

Aktualitet | 4 vite më parë

Avokat i Gjykatës supreme angleze, Naim Hasani në një lidhje Skype me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH ka deklaruar se projektligji i emigracionit i propozuar nga qeveria britanike, është prioritet i Kryeministrit Rishi Sunak.

Sipas Hasanit, ky projektligj që ka si kryefjalë të tij, ndalimin e emigrantëve që hyjnë në Britani në mënyrë të paligjshme, ka trazuar ujërat e politikës. Por pavarësisht, kritikave ndaj këtij projektligji, qeveria britanike, thekson Hasani, e ka prioritet luftën ndaj emigracionit të paligjshëm.

“Qeveria britanike dhe kryeministri e ka bërë prioritet numër një luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, dhe kalimin në mënyrë ilegale të emigrantëve nëpërmjet gomoneve në brigjet e Britanisë. Duke parë situatën që po rëndohej qeveria ka marrë masa të tjera për të ndaluar këtë fenomen dhe ditën e martë prezantuan para parlamentit një projektligj, nga më të ashprit, duke vënë si kryefjalë ndalimin e ardhjes me gomone të emigrantëve të huaj. Ky projektligj ka trazuar ujërat e politikës në Britani. Ministrja e Brendshme dhe kryeministri e kanë prioritet numër një ndaljen e hyrjeve me gomone në Britani”, tha Hasani për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH.

Më tej, ai u shpreh se numri i shqiptarëve në Britani është mjaft i lartë. Më tej, ai shtoi se ka mbi 22 mijë kërkesa për azil për shtetas shqiptarë, dhe ky numër, shtoi Hasani, është vetëm për individë, pa marrë parasysh familjarët. Ndërsa, numri i të kthyerve në Shqipëri nga Britania, është relativisht i vogël.

“Ka një numër të madh shqiptarësh në Britani. Mbi 22 mijë kërkesa azili për qytetarët shqiptarë, individë që kanë kërkuar azil, dhe jo anëtarët e familjes. Numri do ishte më i madh. Por numri i të kthyerve në Shqipëri ka qenë relativisht i vogël”, shtoi ai.

Të martën, qeveria britanike propozoi një projektligj për goditjen e emigrantëve të paligjshëm dhe sipas të cilit azilkërkuesit që arrijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani me varka të vogla nga ngushtica e La Manshit, do të ndalohen pa kusht përpara se të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.

Lexo dhe: Analiza e BBC-së: Pse shqiptarët braktisin vendin e tyre

Masa është pjesë e përpjekjeve për të adresuar një rritje të numrit të njerëzve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kalimeve të Kanalit çdo vit, i cili u rrit nga rreth 300 në 2018 në më shumë se 45,000 në 2022.

Konventa për Refugjatët, e rënë dakord për herë të parë në 1951, është një traktat shumëpalësh që përcakton se kush kualifikohet si refugjat dhe detyrimet e shteteve nënshkruese për t’i mbrojtur ata.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme