Udhëzimi/ Arsimi parauniversitar, profesionin e mësuesit do ta ushtrojnë edhe individë që s’kanë mbaruar mësuesi, kriteret e procedurat

Aktualitet | 4 vite më parë

Mësuesia nuk do të jetë më atribut vetëm i atyre individëve që kanë mbaruar specifikisht programe arsimore, por do të jetë edhe i atyre personave që zotërojnë diploma të programeve të studimit, që kanë certifikatë për formimin psikopedagogjik, diploma të njëvlershme, si dhe diploma të ciklit të dytë “Master i shkencave”/ “Master i arteve” ose “Master profesional”.

Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, që publikohet nga rtsh.al, zgjeron bazën e mësimdhënies, ka marrë sot edhe fuqi ligjore. Udhëzimi sqaron edhe kriteret për përcaktimin e diplomës universitare të njëvlershme, të ngjashme ose të përafërt në fushën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar.

Nisur nga ky udhëzim, bëhet e qartë se në trupat pedagogjike do të përfshihen tashmë edhe persona, të cilët do të mund të ushtrojnë profesionin e mësuesit në institucionet arsimore të sistemit arsimor parauniversitar, të cilët do të duhet të plotësojnë disa kritere.

Kriteret

Personat të cilët do të mund të ushtrojnë profesionin e mësuesit duhet të zotërojnë diploma të programeve të studimit, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike, deri në përshtatjen e studimeve sipas parimeve të procesit të Bolonjës, diplomë universitare të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar;

“Ata duhet të zotërojnë certifikatë për formimin psikopedagogjik, të lëshuar nga institucione të arsimit të lartë (IAL), që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar në fushën e mësuesisë.” – thuhet në udhëzimin që publikohet nga rtsh.al.

 Diplomat

Për personat që mund të ushtrojnë profesionin e mësuesisë edhe pse nuk kanë mbaruar specifikisht për këtë fushë, nuk do të jenë vetëm kriteret ato që duhet të plotësojnë, por ata duhet të kenë edhe diplomën e njëvlershme, të ngjashme ose të përafërt për ushtrimin e profesionit të mësuesit. Ata duhet të  plotësojnë kriteret si:

a) Diploma e programit të studimit të ciklit të parë “Bachelor” të jetë në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë.

b) Diploma e ciklit të dytë “Master i shkencave” / “Master i arteve” ose “Master profesional” me 120 kredite apo ekuivalente me to, të lëshuara nga institucione të arsimit të lartë, programi i studimit të së cilës të përputhet me një nga fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar.

Procedurat për hapjen e programit të studimit

Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike, do të ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë që kanë programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë në fushën e mësuesisë.  

Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike do të organizohen me jo më pak se 30 kredite dhe me kohëzgjatje normale një semestër.

“Kërkesa për hapjen e programit të studimit të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike duhet të përmbajë dokumentacionin si më poshtë: a) propozimin e njësisë bazë ku do të ofrohet programi i studimit; b) vendimin e senatit akademik dhe bordit të administrimit për miratimin e hapjes së programit; c) planin mësimor dhe planin lëndor (syllabuset) e moduleve/lëndëve; d) rregulloren e programit të studimit; e) listën e plotë emërore të personelit akademik me kohë të plotë dhe të pjesshme për programin e studimit, ngarkesën mësimore dhe formën e punësimit, si dhe titullin akademik dhe gradën shkencore përkatëse.”- thuhet në udhëzim.

Dosja e personelit

Dosja e personelit duhet të përmbajë kontratat e punës me personelin e planifikuar për t’u angazhuar me kohë të plotë, në rast të hapjes së programit ose vërtetim nga rektori mbi kategorinë e personelit akademik dhe kohëzgjatjen e kontratës me ose pa afat të caktuar; dëshmitë që vërtetojnë shkollimin e kualifikimet, titujt dhe gradat (fotokopje); letrën e angazhimit të çdo anëtari të personelit akademik të planifikuar për t’u angazhuar me kohë të pjesshme;  lejen e punëdhënësit kryesor për anëtarët e personelit akademik me kohë të pjesshme.

Shqyrtimi paraprak i dokumentacionit të mësipërm kryhet nga një komision i ngritur me urdhër të ministrit, me përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, brenda 21 ditëve nga depozitimi i kërkesës së IAL-së dhe dokumentacionit shoqërues.

Në rastet kur dokumentacioni është i paplotë apo konstatohen mangësi/pasaktësi, ministria i kërkon IAL-së të bëjë plotësimin/saktësimin e dokumentacionit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit.

Në mungesë të plotësimit të dokumentacionit brenda këtij afati, konsiderohet se subjekti ka hequr dorë në heshtje nga aplikimi dhe praktika arkivohet.  

Në rast se dokumentacioni konsiderohet i plotë, me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, miratohet hapja e programit të studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme