Dosja e inceneratorit të Elbasanit shkon për gjykim në GJKKO, nën akuzë Lefter Koka, Alqi Bllako dhe 8 zyrtarë të tjerë

Dosja e Inceneratorëve të Elbasanit është pranuar për gjykim nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit. Vendimin për pranimin e gjykimit është marrë nga gjyqtarja Rudina Palloi.
Për këtë çështje nën akuzë janë 10 persona: Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa si dhe dy kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Mbi të gjithë personat më sipër rëndojnë akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe zyrtarët e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar por që deri më tani nuk është pranuar nga SPAK.
SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services”, si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit.
Bllako akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Bllako akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




