Çarja e digës detyron Rusinë të evakuojë 4 mijë banorë afër Kazakistanit

Rusia ka evakuar më shumë se 4 mijë banorë nga rajoni i Orenburgut pranë kufirit me Kazakistanin, pasi rrezikohen nga përmbytjet prej digës që u ça të premten si pasojë e shirave të rrëmbyer.
Guvernatori Denis Pasler tha se niveli i ujit arriti maksimumin dhe situata më e rëndë paraqitet në qytetin kufitar të Orskut me 230 mijë banorë. 2 mijë prej tyre u evakuan nga banesat ditën e shtunë, por rreziku mbetet i lartë nga lumi Ural në qytetin kryesor të Orenburgut.
Mes mijëra shtëpive të përmbytura, shërbimet e emergjencave civile i ndihmuan banorët me varka dhe jelekë shpëtimi.
Rusia gjithashtu njoftoi se ka nisur hetimin penal për “neglizhencë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në ndërtim”.
Diga që shpërtheu nga tejmbushja me ujë ishte ndërtuar në vitin 2014 dhe sipas prokurorisë lokale nuk mirëmbahej rregullisht.
Disa rajone të Uraleve, Siberia Perëndimore dhe pjesë të Kazakistanit janë prekur nga përmbytjet. Presidenti kazakistanas ka deklaruar se përmbytjet e fundit mund të jenë katastrofa natyrore më e madhe në shkallë dhe impakt këto 80 vitet e fundit. /AJ
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




