Ishte marrë peng nga Hamasi më 7 tetor, ushtria izraelite gjen varrin e 47-vjeçarit

Botë | 3 vite më parë

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se ka gjetur kufomën e njërit prej pengjeve që mbahej në Gazë nga militantët e Hamasit pas sulmeve të 7 tetorit.

Trupi i Elad Kaxirit (o. Katzir) u gjet i varrosur në një kamp refugjatësh të Kan Junisit. I ndjeri u identifikua edhe nga mjekët ligjorë.

Sipas shërbimeve inteligjente izraelite, 47-vjeçari Elad Kaxiri “u vra nga organizata terroriste e Xhihadit Islamik gjatë kohës kur mbahej peng”.

Viktima u mor peng më 7 tetor së bashku me nënën e tij Hanën, 77 vjeçe, ndërsa babai, Avrahami, u vra në vend. Hana dhe 104 pengje të tjera u liruan në fund të nëntorit në kuadër të armëpushimit gjashtëditor.

Në janar, grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik, publikoi një video të 47-vjeçarit, ku ai thoshte se i ishte afruar vdekjes më shumë se një herë dhe i bënte thirrje qeverisë izraelite të ndalte luftën dhe ta kthente atë dhe të tjera pengje në atdhe. Sipas burimeve ushtarake që informuan mediet në Izrael, z. Kaxir u vra në mesin e janarit pasi ishte filmuar videoja.

Nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 mbetën të vrarë rreth 1.200 persona, shumica civilë. Prej atëherë viktima kanë mbetur edhe mbi 33 mijë njerëz në Gazë. Izraeli ka deklaruar se gjatë sulmeve u morën pengje 253 izraelitë dhe të huaj. /BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme