Katalonja shpall emergjencën prej thatësirës, kufizimi ditor deri në 200 litra/banor

Katalonja, rajoni verilindor i Spanjës, dhe Barcelona do të kenë kufizime të forta në përdorimin e ujit të pijshëm për shkak të thatësirës së zgjatur.
6 milionë banorët katalanë u njohën të enjten me gjendjen e emergjencës, pasi niveli në rezervuare ra në pikën kritike nën 16 për qind të kapacitetit.
Faza e emergjencës do të shtrihet në tri faza: në të parën, furnizimi me ujë do të pakësohet në 200 litra në ditë për banor për të gjitha përdorimet (komerciale, industriale ose personale), ndërsa në fazat e dyta dhe të treta, kufizimet do të ulen në 180 dhe 160 litra për banor.
Me hyrjen në gjendjen e jashtëzakonshme, ujitja për qëllime bujqësore do të zvogëlohet me 80 për qind dhe për qëllime industriale e kreative me 25 për qind. Gjithashtu do të ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm për pastrimin e hapësirave urbane, përveçse kur ka aksidente ose zjarre, dhe larja e makinave nëse nuk mundësohet riciklimi i ujit. Edhe pishinat do të lejohet të mbushen vetëm pjesërisht në qendrat e regjistruara sportive.
Autoritetet kanë parashikuar edhe masa pas përkeqësimit më tej të situatës me thatësirën. Në tryezë është hedhur edhe ideja e importimit të ujit me anije në Portin e Barcelonës nga zona si Taragona.
Deri tani, Katalonja i ka shmangur kufizimet duke shkripëzuar ujin e detit dhe duke shfrytëzuar sistemet rigjeneruese që tani përbëjnë 55 për qind të ujit që përdoret në të gjithë rajonin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




