Marrëveshja e armëpushimit, lirohen 12 pengje izraelitë dhe 30 të burgosur palestinezë

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se Hamasi liroi sipas marrëveshjes edhe 12 pengje të tjerë. 10 nga 12 pengjet janë izraelit, ndërsa dy të tjerët janë të huaj. “Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq i transferuan 12 pengjet në Egjipt. Përfaqësuesit e sigurisë do të verifikojnë identitetin e pengjeve të liruara në pikën e takimit. Familjet e pengjeve po mbahen të informuar nga përfaqësuesit e IDF” bëhet e ditur në deklaratë. Ndërkaq edhe Izraeli liroi më vonë 30 të burgosur palestinezë, 15 fëmijë dhe 15 gra të mbajtur ndër vite në burgjet izraelite.
Të hënën, Katari njoftoi një marrëveshje për zgjatjen edhe për dy ditë të tjera të pauzës humanitare, ndërsa këtë të martë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të këtij shteti tha se armëpushimi mund të zgjatet edhe më shumë nëse Hamasi pranon të liroje 10 pengje izraelitë në ditë. Ndërkaq, qeveria izraelite miratoi në orët e vona të së martës një buxhet aneks, të përshkruar si të paprecedentë, me vlerë rreth 8 miliardë dollarë për të mbuluar nevojat e luftës në Gaza.
Por, Shtetet e Bashkuara i kërkuan Izraelit të jetë më i kujdesshëm për t’i mbrojtur civilët dhe për ta kufizuar dëmtimin e infrastrukturës gjatë ndonjë ofensive të mundshme në jug të Rripit të Gazës. Ky ndryshim në politikat e administratës Biden vjen pas kritikave të fuqishme nga brenda dhe jashtë vendit.
Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka qenë shkatërruese, duke i lënë mbi 15.000 palestinezë të vrarë, dhe duke detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen në jug të vendit, ku janë përballur me mungesë thelbësore të ushqimit, energjisë elektrike dhe ujit.
Gazetar Artur Mata
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




