Kamionët me ndihma në pritje/Kreu i OKB-së, Guterres, thirrje Izraelit. “Lejoni futjen e tyre, kanë rëndësi jetike”

Kryeministri izraelit i premtoi presidentit amerikan Joe Biden gjatë vizitës së tij në Tev Aviv se do të lejonte ndihmat humanitare të futeshin në Gaza nga dita e premte. Por, këto ndihma ende nuk janë lejuar të shkojnë për 2.5 milionë palestinezë të cilët prej ditësh janë lënë pa ujë, ushqim, karburant, energji elektrike dhe medikamente mjekësore. Dhe këtë të premte për të parë situatën nga afër ishte vetë Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres. Nga kufiri egjiptian ku presin me qindra kamionë, Guterres i bëri thirrje Izraelit të lejonte kalimin e ndihmave pasi ato kishin një rëndësi jetike.
“Shoh kamionët e bllokuar këtu, dua të jem i qartë, lejojini ato të lëvizin në anën tjetër të këtij muri… sa më shpejt të jetë e mundur. Automjete me ndihma nuk janë thjesht kamionë, kanë rëndësi jetike, ato bëjnë dallimin midis jetës dhe vdekjes për kaq shumë njerëz në Gaza”, tha ai.
Ndërkohë forcat izraelite vijojnë bombardimet ne Gaza. Në orët e para të mëngjesit ata shënjestruar zona në jug ku palestinezëve iu ishte thënë se ishin të sigurta. Kisha ortodokse e Shën Porfirit në qytetin e Gazës u godit nga një shpërthim dhe shumë prej të strehuarve në objektin e kultit mbetën të vdekur.
Ndërkaq banorët e një qytetit izraelit pranë kufirit me Libanin kanë filluar të evakuohen, shenjë kjo që pushtimi i mundshëm i Gazës nga toka mund të nxisë trazira në rajon. Ministria izraelite e Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se ka regjistruar një rritje të numrit të civilëve në vend që aplikojnë për të marrë një licencë private për armë zjarri.
Ndërkohë, Egjipti ka deklaruar se po përgatitet për një samit paqeje, në përpjekje për të de-përshkallëzuar konfliktin dhe për të mbrojtur civilët në Gaza. Kryeministri britanik Rishi Sunak zhvilloi këtë të premte bisedime me presidentin egjiptian Abdul Fattah al-Sisi, ndërsa të shtunën do të ketë një takim të liderëve rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Udhëheqës nga Katari, Turqia, Greqia, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Kuvajti, Arabia Saudite, Iraku dhe Qiproja kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Si pasojë e luftimeve midis Hamasit dhe Izraelit, kanë humbur jetën rreth 1400 persona në Izrael, ndërsa në Gaza raportohet të kenë ndërruar jetë mbi 4200 qytetarë, prej tyre mbi 1500 fëmijë.
Këtë të premte Hamas njofoti se për arsye humanitare, me ndërmjetësimin e Katarit kishte liruar 2 pengje amerikanë, nënë e bijë. Lirimi i tyre u konfirmua edhe nga Izraeli, ndërsa organizata tha se i liroi dy pengjet “për t’i provuar popullit amerikan dhe botës se pretendimet e bëra nga Biden dhe administrata e tij fashiste janë të rreme dhe të pabaza”.
Gazetar A.Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




