Mbi 1800 të vrarë, Izraeli merr nën kontroll kufirin me Gazën, Hamas godet me raketa qytetin Ashkelon

Botë | 3 vite më parë

Numri i viktimave nga konflikti midis Izraelit dhe Hamasit vijon të rritet me shpejtësi. Më shumë se 850 palestinezë, mes tyre gjysma gra e fëmijë raportohet të kenë humbur jetën deri më tani nga sulmet izraelite në Gaza, ndërsa nga sulmet e militantëve të Hamasit kanë humbur jetën mbi 1000 izraelitë. 

Ambasadori i Izraelit në OKB ka bërë të ditur se në Gaza po mbahen peng nga 100 deri në 150 persona të shtetit të tij.  Për këtë SHBA tha se do të dërgojë ekspertë për të liruar pengjet e mbajtura nga njerëzit e Hamasit. Por, udhëheqja Houthi e Jemenit dhe një politikan i lartë irakian u rreshtuan me Iranin dhe kërcënuan të godasin interesat e SHBA-së në rajon nëse Uashingtoni mbështet Izraelin në luftën e tij me Hamasin në Rripin e Gazës.

Hamasi ka thënë se do të vrasë të gjithë pengjet nëse Izraeli do të vazhdojë të vrasë civilët palestinezë, por ushtarakët izraelitë thanë se pavarësisht kërcënimet të Hamas, ata do të vazhdonin sipas planit dhe nuk do i ndalnin sulmet ndaj Gazas. 

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftimeve, ndërsa tha se të dyja palët po kryejnë krime lufte. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për hapjen e një korridori humanitar në Rripin e Gazës, ndërsa më shumë se 200 mijë banorë, ose rreth 1/10 e popullsisë janë zhvendosur nga enklava vetëm gjatë 24 orëve të fundit nga frika e sulmeve izraelite, të cilat po i marrin jetën qindra të pafajshmëve.

Zyrtari më i lartë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, i ngarkuar me operacionet në territoret palestineze, Ghassan Aliyan, i drejtoi një mesazh popullit të Gazës. Duke dënuar mbështetjen popullore palestineze për grupin e Hamasit, ai u tha palestinezëve se ata vetë dëshiruan ferrin dhe tashmë atë do të marrin atë që  kërkuan.

Në kundërpërgjigje të sulmeve të izraelit ndaj Gazës, Hamas ka nisur të godasë qytetin izraelit të Ashkelonit, ndërsa më parë grupi militant u bëri thirrje banorëve izraelitëve të lëshojnë territoret për të mos humbur jetët. 

Fraksione palestineze kanë lëshuar disa raketa edhe nga Libani në drejtim të izraelit, ndërkohë që kundërpërgjigja izraelite nuk ka munguar edhe ndaj tyre. Izraeli tashmë ka marrë nën kontroll kufirin nga sulmoi Hamas, ka mobilizuar mbi 360 mijë rezervistë dhe ka lënë pa ujë, energjie elektrike dhe medikamente të gjithë popullin e Gazës. Spanja dhe Gjermania ndërkohë kanë kundërshtuar pezullimin e ndihmave të BE për palestinezët.

Gazetar A.Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme