Lavrov kritikon NATO-n në OKB, ambasadori shqiptar akuzon Rusinë për hipokrizi

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka kritikuar ashpër veprimet e vendeve anëtare të NATO-s në perëndim të paqësorit, veçanërisht aleancën mes Australisë, Britanisë dhe SHBA-së, si dhe fuqizimin e lidhjeve të SHBA-së me Japoninë, Korenë e jugut dhe një numër vendesh të Azisë juglindore.
Lavrov gjithashtu akuzoi ambasadën amerikane në Moskë se nuk lejoi që gazetarët rusë ta shoqëronin atë në New Jork pasi vizat e tyre u miratuan vetëm kur avioni i Lavrov ishte nisur.
Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mbrojtjen e kartës së organizatës, që u drejtua nga ministri i Jashtëm rus, ky i fundit theksoi se multilaterizmi ishte pjesë kyçe e kartës së OKB-së ndërsa akuzoi SHBA-në dhe aleatët se po shkatërrojnë globalizimin, pavarësisht se promovojnë përfitimet e tuaja.
“Perëndimi po promovon një rend të bazuar mbi rregullat, ku askush nuk i ka parë rregullat dhe i cili ndalon aksesin në teknologjitë modern dhe shërbimet financiare për të ndëshkuar vendet me të cilat ka mosmarrëveshje”, u shpreh më tej Lavrov.
Ndërsa Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se veprimet e Rusisë gjatë luftës 14-mujore në Ukrainë tregonin se pushtimi i Ukrainës nuk ishte një incident i izoluar.
“Kjo nuk i përket vetëm Ukrainës dhe Europës, por të gjithë ne. Sepse sot është Ukraina, ndërsa nesër do të jetë një vend tjetër, një komb më tjetër i vogël që pushtohet nga fqinja e tij më e madhe”, tha Greenfield.
Në takim folën përfaqësuesit e rreth 50 vende, shumë prej të cilëve vunë në dukje përballjen në rritje mes shteteve anëtare të OKB-së. Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së multilaterizmit, përfshi reformimin e Këshilli të Sigurimit për të reflektuar sfidat e shekullt të 21.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB Ferit Hoxha, që theksoi se OKB duhet të bëhet subjekt i reformave në mënyrë që të fuqizohet dhe të bëhet më eficente. Mbajtjen nga Rusia të takimit të Këshillit të Sigurimit për multilaterizmin e efektshëm në botë, Hoxha e ka quajtur si hipokrizi.
“Një Anëtar i Përhershëm i Këshillit të Sigurimit ka shpërfillur haptazi dhe në mënyrë sfiduese Kartën e OKB-së. Vetë ky vend ka shkelur me vetëdije dhe me dëshirë çdo rregull të vendosur zakonisht në lidhje me marrëdhëniet midis shteteve. Ajo ka injoruar rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe angazhimet e veta ndërkombëtare. E megjithatë, ajo ka zgjedhur t’i japë botës leksione për multilateralizmin”
Hoxhaj gjithashtu iu referua edhe paralelzimave që Rusia shpeshherë paraqet mes Kosovës dhe Ukrainës, por edhe Gjeorgjisë.
“Është bërë fiksim rus t’i referohet Republikës së Kosovës, një shteti i njohur nga më shumë se gjysma e OKB-së, për të justifikuar veprimet e saj të paligjshme në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë që nga viti 2014, që siç e dimë të gjithë, vijojnë ehde në të tashmen deri në këtë orë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E njëjta Gjykate që i ka kërkuar Rusisë të ndalojë luftën e saj”.
Më tej, Hoxhaj i kërkoi Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainën, të tërheqë trupat që atje si dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të atij vendi brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




