Von der Leyen paralajmëron Pekinin për marrëdhëniet me Rusinë: Faktor vendimtar për të ardhmen e bashkëpunimit BE-Kinë

Botë | 4 vite më parë

E ardhmja e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kinës do të varet kryesisht nga qëndrimi i Pekinit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, paralajmëroi Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, duke theksuar megjithatë se është në interesin e Evropës që të vazhdojë të angazhohet në marrëdhëniet me Pekinin.

Von der Leyen do të vizitojë kryeqytetin kinez javën e ardhshme së bashku me kreun e shtetit francez Emmanuel Macron. Vizita vjen dy javë pasi presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Moskën, ku vlerësoi “marrëdhëniet speciale” të Kinës me Rusinë e Vladimir Putinit.

“Duhet të jemi të sinqertë, mënyra se si Kina vazhdon të veprojë përballë luftës së Putinit do të jetë një faktor vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve BE-Kinë”, theksoi Ursula von der Leyen në një fjalim në Bruksel.

Kina, e cila nuk e ka denoncuar kurrë pushtimin rus të Ukrainës, propozoi një “plan paqeje” në shkurt për t’i dhënë fund luftës, por SHBA dhe Evropa mbeten të kujdesshme për aftësinë e saj për të luajtur rolin e ndërmjetësit. Uashingtoni dhe BE kanë paralajmëruar gjithashtu vazhdimisht Pekinin që të mos furnizojë me armë Moskën.

 “Kina ka për detyrë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e një paqeje të drejtë. Por kjo paqe mund të jetë e drejtë vetëm nëse bazohet në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha von der Leyen./ CNN.gr

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme