Kryeministri spanjoll vizitë zyrtare në Kinë javën e ardhshme

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kinë javën e ardhshme. Kryeministri spanjoll bëri me dije se do të takohet me udhëheqësin Xi Jinping, dhe në fokus të kësaj vizite do jetë përforcimi i marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të 50-vjetorit të marëdhëneve diplomatike mes Madridit dhe Pekinit, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe synimet e presidencës spanjolle të BE në gjysmën e dytë të vitit 2023.
Sanchez tha se ai do të trajtojë në mënyrë specifike çështjet e paqes, sipas kushteve të Kievit, dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Kjo do të thotë respektim i kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut, në lidhje me integritetin territorial që po shkelet nga Rusia, në këtë rast në Ukrainë,” u tha ai gazetarëve ndërsa mbërriti për një takim të Këshillit Evropian në Bruksel. “Dhe logjikisht do të jenë vetë ukrainasit ata që do të krijojnë kushtet për fillimin e atij dialogu të paqes që logjikisht do të duhet të ndodhë”, tha ai, raporton CNN.
Kryeministri spanjoll tha se ishte mirënjohës për ftesën e Presidentit Xi dhe iu referua Kinës si “një aktor global i rendit të parë”, duke shtuar se ishte e rëndësishme të dëgjohej këndvështrimi i Pekinit.
Pekini është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetës i paqes në konflikt, pavarësisht marrëdhënieve në rritje me Rusinë. Xi u largua nga Moska të mërkurën pasi u zotua të thellojë lidhjet me presidentin Vladimir Putin gjatë një vizite shtetërore tre-ditore. Bisedimet e tyre dështuan për të arritur një përparim në Ukrainë.
Tre temat që do trajtohen në takimin Sanchez-Jinping:
Përforcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe festimi i 50 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Madridit dhe Pekinit.
Synimet e presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2023.
Stabiliteti dhe paqja e qëndrueshme në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




