“A po përsëritet skenari i Ukrainës?” Presidentja e Moldavisë: Rusia po kërkon të na destabizilojë

Botë | 4 vite më parë

Moldavia, një vend i vogël në kufirin jugperëndimor të Ukrainës, ku Rusia është akuzuar se ka hedhur bazat për një grusht shteti, është përfshirë nga frika se mund jetë në objektivat e sulmeve të Kremlinit.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka akuzuar Rusinë për përdorimin e personave të maskuar si civilë për të nxitur trazira në mes të një periudhe paqëndrueshmërie politike.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Kievin për planifikimin e sulmeve në territore pro-rus në Moldavi, ku Moska ka një bazë ushtarake.

Kjo ka rritur frikën se Kremlini po krijon një pretekst për një aneksim të stilit të Krimesë.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden u takua me presidenten Sandu gjatë udhëtimit të tij në Varshavë javën e kaluar. Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar mbështetjen për “sovranitetin dhe integritetin territorial” të Moldavisë.

Çfarë po ndodh në Moldavi?

Në fillim të këtij muaji, Zelensky paralajmëroi se inteligjenca ukrainase ra në gjurmët e një plani rus  për të destabilizuar situatën politike në Moldavi.

Dorëheqja e kryeministrit të vendit pasoi një periudhë të vazhdueshme krizash, të kryesuar nga rritja e çmimeve të gazit dhe inflacioni i lartë.

Ndërkaq, kryeministri i ri i Moldavisë ka vazhduar përpjekjet pro-BE të qeverisë, por ka hasur në protesta pro-ruse në kryeqytetin, Kishinau, të mbështetur nga një parti politike e skajshme, pro-Moskës.

Mes tensioneve, presidentja e Moldavisë Sandu lëshoi një akuzë të drejtpërdrejtë se Rusia po kërkon të përfitojë nga situata politike e vendit të saj.

Sandu tha se qeveria vjeshtën e kaluar kishte planifikuar për “një seri veprimesh që përfshijnë diversantë të cilët kanë marrë trajnime ushtarake dhe janë maskuar si civilë për të kryer veprime të dhunshme dhe sulme mbi ndërtesat qeveritare.

Ajo pretendoi se individë të maskuar në radhët e opozitës do të përpiqeshin të ndryshonin kursin e pushtetit në Kishinau përmes “veprimeve të dhunshme”, transmeton CNN.

“Është e qartë se këto kërcënime nga Rusia dhe oreksi për të përshkallëzuar luftën ndaj nesh është shumë i lartë,” tha për CNN Iulian Groza, ish-zëvendësministri i Jashtëm i Moldavisë dhe tani drejtor i Institutit për Politikat dhe Reformat Evropiane me bazë në Kishinau.

“Moldavia është vendi më i prekur pas Ukrainës. Ne jemi ende një vend i vogël, i cili ka një ekonomi të pazhvilluar dhe kjo krijon shumë presion”, u shpreh ai.

Çfarë po planifikon Rusia?

Veprimet e Moskës me Moldavinë ngjasojnë me lëvizjet e saj përpara aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar.

Të marten e kaluar Putin revokoi një dekret të politikës së jashtme të vitit 2012 që njihte pjesërisht pavarësinë e Moldavisë, sipas Reuters. Më pas, të enjten, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Ukrainën për “përgatitjen e një provokimi të armatosur” ndaj rajonit separatist pro-rus të Moldavisë të Transnistrisë.

Ky pretendim i ka vënë liderët perëndimorë në gatishmëri, duke ardhur pothuajse saktësisht një vit pasi Putin bëri pohime të ngjashme, të paargumentuara se rusët ishin në shënjestër në Donbas, krahu lindor i Ukrainës ku Moska kishte mbështetur separatistët militantë që nga viti 2014, duke e lejuar atë të flasë pushtimi i vendit si çështje vetëmbrojtjeje.

“Ka qenë rasti më parë – ne kemi parë aktivitete të vazhdueshme të Rusisë duke u përpjekur të eksplorojë dhe shfrytëzojë hapësirën e informacionit në Moldavi duke përdorur propagandë. Me luftën, të gjitha këto instrumente që Rusia po përdorte më parë janë shumëfishuar dhe intensifikuar.  Ajo që ne shohim është një riaktivizim i përfaqësuesve politikë rusë në Moldavi”, u shpreh ish-zëvendësministri i Jashtëm i Moldavisë, Groza. 

“Unë shoh shumë gjurmë gishtash të forcave ruse, shërbimeve ruse në Moldavi,” tha kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki për CBS të dielën e kaluar. “Ky është një vend shumë i dobët dhe ne të gjithë duhet t’i ndihmojmë ata.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme