FOTOT/ El Salvador, mijëra të burgosur transferohen në burgun e ri

Botë | 4 vite më parë

Grupi i pare, prej 2000 anëtarësh të dyshuar të bandave në El Salvador, janë zhvendosur në një burg të ri të madh, në kulmin e luftës të vetëshpallur të Presidentit, Nayib Bukele, kundër krimit.

Dhjetëra mijëra gangsterë të dyshuar janë kapur në vend gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, pas rritjes së vrasjeve dhe krimeve të tjera të dhunshme. Burgu do të mbajë më shumë se 40,000 persona. Fotot tregojnë grupin e parë masiv të të burgosurve, me tatuazhe dhe këmbëzbathur, duke u çuar të prangosur në burg.

Presidenti Bukele shkruajti në Tëitter se 2,000 personat e parë u transferuan “në agim, gjatë një operacioni të vetëm”, në Qendrën për Kufizimin e Terrorizmit, të cilën ai thotë se është burgu më i madh në Amerikë.

“Kjo do të jetë shtëpia e tyre e re, ku ata do të jetojnë për dekada të tëra, të gjithë të përzier, të paaftë për të bërë ndonjë dëm të mëtejshëm për popullatën.”- shkruajti ai.

Megaburgu në Tecoluca, 74 kilometra në juglindje të kryeqytetit San Salvador, përfshin tetë ndërtesa. Secila ka 32 qeli prej rreth 100 metrash katrorë për të mbajtur “më shumë se 100” të burgosur, thotë qeveria. Qelitë kanë vetëm dy lavamanë dhe dy tualete secila.

Presidenti Bukele i shpalli “luftë bandave” marsin e kaluar, duke miratuar masa emergjente të cilat janë zgjatur disa herë. Kompetencat emergjente kanë qenë të diskutueshme pasi ato kufizojnë disa të drejta kushtetuese, dhe lejojnë forcat e sigurisë për të arrestuar të dyshuarit edhe pa urdhër.

Më shumë se 64,000 të dyshuar janë arrestuar në aksionin kundër krimit. Autoritetet kanë thënë se bandat kriminale si MS-13 dhe Barrio-18, numërojnë dhjetëra mijëra persona dhe janë përgjegjës për vrasjet, zhvatjet dhe trafikun e drogës. 

Qëllimi i arrestimeve masive është që bandat të “zhduken fare”, thotë qeveria. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë argumentuar se njerëz të pafajshëm janë kapur nga policia dhe disa prej të arrestuarve kanë raportuar se i janë nënshtruar “trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme