Sulmi ndaj civilëve në Ukrainën Lindore/ HRW: Rusia ka kryer krime lufte, goditi me raketa trenin me pasagjerë

Botë | 4 vite më parë

Human Rights Watch e ka konsideruar krim lufte sulmin rus ndaj një stacioni treni në qytetin lindor të Ukrainës Kramatorsk prillin e kaluar. Sipas raportit të publikuar nga kjo organizatë bëhet e ditur se sulmi ndaj qindra pasagjerëve përfshirë edhe fëmijë është sulm ndaj njerëzve të pafajshëm.

Mbi 50 persona, midis tyre pesë fëmijë, vdiqën në sulmin në stacionin hekurudhor Kramatorsk më 8 prill 2022, që në atë kohë po përdorej për të strehuar civilët që iknin nga luftimet.

Sipas raportit, civilët po prisnin në stacion kur “një raketë balistike shpërtheu dhe lëshoi dhjetëra bomba”.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Municionet Thërrmuese (CCM) i ndalon municionet thërrmuese për shkak të “ndikimit të tyre mbi civilët”, por as Rusia dhe as Ukraina nuk janë shtete palë në këtë traktat.

“Komandantët rusë përgjegjës për urdhërimin e sulmit, i cili përdori një armë në thelb pa dallim në një qendër të mirënjohur kryesore evakuimi, duhet të hetohen dhe të mbahen përgjegjës”, vijon raporti.

Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes mohon sulmin ndaj civilëve, pavarësisht provave të shumta të mbledhura nga mediat ndërkombëtare dhe grupet mbikëqyrëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme